15.7 C
Pristina
Friday, October 4, 2024

Buy now

spot_img

Tahiri paralajmëron mundësinë e aksionit në veri

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka udhëtuar dje për në Bruksel për të marrë pjesë në rundin e ri të bisedimeve, i thirrur nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i këtij takimi do të jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash e një vit. Ky takim vjen si rezultat i rritjes së angazhimeve të BE-së për zhbllokimin e proceseve zbatuese në dialogun e Brukselit, shkruan “Zëri”.
Sot, ministrja Tahiri do të zhvillojë takim me drejtoreshën për Çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku do të kërkojë që Serbia të heqë bllokadat dhe të zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës.

Ministrja Tahiri do të ritheksojë qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se moszbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë flet qartazi për shkeljet serioze që pala serbe ia bënë marrëveshjeve të Brukselit, të nënshkruara nga kryeministrat e të dyja shteteve dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini.
Ministrja Tahiri po ashtu do të rikonfirmojë qëndrimin se zbatimi i këtyre tri marrëveshjeve mund të hapë rrugën e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, ku si kusht kryesor është zhbërja e plotë e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk lejohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, si dhe se marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës.
Ministrja Tahiri do të njoftojë BE-në për zhvillimet pozitive në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë dhe vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë në veri të vendit në muajin tetor, si dhe të një numri të madh të ministrive dhe agjencive qendrore, të cilat do të nisin punën së shpejti dhe për të cilat po i bëjmë përgatitjet intensive.
Ministrja Tahiri do të ngrejë shqetësimet në lidhje me disa veprime destruktive të Serbisë dhe për pretendimet e ndërtimeve ilegale që po ndikojnë në ngritjen e tensioneve dhe pakënaqësive dhe që mund të jenë destabilizuese për situatën e mirë të sigurisë që e kemi arritur me mund të madh në sajë të dialogut të Brukselit. Ajo do të kërkojë nga BE-ja që t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për të ndalur Serbinë që të shkelë parimet e dialogut për fqinjësinë e mirë, sepse në të kundërtën Qeveria e Kosovës do të detyrohet të kundërvihet me forcën e ligjit ndaj gjërave të paligjshme.
Gjatë ditës së sotme pritet të ketë një rund të veçantë të bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes për çështjet e Telekomunikacionit, përkatësisht kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këto bisedime ministrja Tahiri do të jetë e shoqëruar nga ekipi i ekspertëve të Republikës së Kosovës për çështjen e telekomunikacionit.
Për sa i takon çështjes së heqjes së barrikadës dhe rivitalizimit të Urës së Mitrovicës ministrja Tahiri do të kërkojë që BE-ja të realizojë obligimin e vet për këtë çështje, sepse sipas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 është e autorizuar ta bëjë këtë veprim./PrishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img