23.6 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Buy now

spot_img

S’heqin dorë nga shtrenjtimi i tatimit – kush e ka paguar faturën, 100 eurot e falura do t’i llogariten si paradhënie

Idenë që e dha në janar, Ministri Hekuran Murati e ka përkthyer edhe në letër. Me Projektligjin që është miratuar të premten në Qeveri, parashihet falja e tatimit në pronë për këtë vit për 100 euro. Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese. Komunat thonë se s’janë konsultuar fare për këtë projektligj dhe e konsiderojnë shkelje. Ministria s’është përgjigjur për këtë çështje.

Rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të jenë më të shtrenjta sivjet. Për këtë rritje, qytetarët kuptuan tek në janar, ndonëse komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar.

Kërkesa e komunave ishte që procesi i rivlerësimit të anulohet dhe qytetarët të paguanin me të vjetrën, por kjo kërkesë është injoruar nga Ministri Hekuran Murati.

Pa i konsultuar fare, idenë që e kishte dhënë në janar që qytetarëve t’u falen deri në 100 euro të vlerës së tatimit për këtë vit, ai e ka përfshirë në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes dhe me të parashihet falja e tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro.

“Shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 Euro (njëqind euro) në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli”, parashihet me këtë projektligj.

Me këtë Projektligj, parashihet që “vendimi për faljen e tatimit në prone merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Ibrahimi: Komunat s’u konsultuan fare për këtë projektligj

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se komunat s’janë konsultuar fare për këtë projektligj.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se moskonsultimi i komunave për të tilla ligj tashmë është kthyer në një lloj tradite nga Qeveria Kurti.

“Qeveria nuk i ka konsultuar fare komunat, sa i përket këtij projektligji. Asnjë Kryetar komune nuk e ka pranuar zyrtarisht Projektligjin për tatimin në pronë, edhe pse ky projektligj i prek drejtpërdrejtë komunat. Nuk është hera e parë që po ndodhë kjo. Edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, pa konsulta paraprake me kryetarët e komunave. Është bë si lloj tradite e kësaj qeverie, që Ligjet që i prekin interest vitale të komunave, që komunat të mos konsultohen”, ka thënë Ibrahimi.

Ai e konsideron këtë edhe shkelje, meqë thotë se një vendim i tillë u takon komunave e jo nivelit qendror.

“Pse Qeveria me marr vendim në emër të komunave, kur komunat e kanë autonominë e plotë me vendosë vetë. Kjo është shkeklje edhe në Kartën Evropiane, që Qeveria merr vendim për komunat, kur komunat munden me marr një vendim të tillë… Nuk është mirë që ligje të tilla që prekin interest e komunave, të miratohen në Qeveri pa konsulta paraprake me komunat”, ka thënë Ibrahimi për Express.

A do të gjobiten ata që s’do të paguajnë këstin deri në fund të prillit?

Me Ligjin për Tatimin në Pronë që aktualisht është në fuqi, afati për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në prone përfundon në fund të këtij muaji. Për këstin e dytë, ka kohë deri në fund të shtatorit.

Sipas këtij Ligji, nëse pagesa për tatimin në pronë nuk bëhet në kohë, aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

“1. Interesi aplikohet mbi tatimin e papaguar në një normë e cila është e barabartë me mesataren e normës vjetore të përcaktuar dhe publikuar nga Ministria e Financave, për vitin para vitit tatimor. 2. Interesi llogaritet në baza mujore nga data kur duhet të paguhet tatimi deri në muajin kur paguhet tatimi”, thuhet në Nenin 25 të këtij Ligji.

“Tatimpaguesi i cili nuk e paguan tatimin në pronën e paluajtshme në datën ose para datës së fundit për pagesë i vendoset gjobë në një shumë që është e barabartë me dhjetë përqind (10%) të tatimit të papaguar”, parashihet me Nenin 35 të këtij Ligji.

Për këtë pjesë, nuk është sqaruar nëse qytetarët do të gjobiten nëse nuk e paguajnë këstin e parë deri në fund të muajit.

Gazeta Express e ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, se si duhet të veprojnë qytetarët: Ta paguajnë faturën e tatimit në pronë apo të presin hyrjen në fuqi të këtij Ligji, por që s’ka marrë përgjigje.

Përgjigje s’kanë kthyer as disa prej komunave kur janë pyetur lidhur me projektligjin dhe pagesën e faturave.

Edhe komunat fajtore për shtrenjtimin e tatimit

Komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar se çmimet e tatimit në pronë do të rriteshin, por që shumica kishin heshtur.

Të vetmet komuna që kishin ngritur pakënaqësi për këtë raport dhe kishin kërkuar korrigjime janë ajo e Gjakovës dhe Kaçanikut.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, i kishte thënë Gazetës Express se këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor të vitit 2022.

Lidhur me pakënaqësitë për këtë raport, ai thotë se i ishin drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave.

Gazeta Express e ka siguruar këtë shkresë, ku ndër të tjera, thuhet se vlerësimi nëpër zona nuk është i saktë.

“Lidhur me Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për vitin 2022 e tutje, mendoj se vlerat janë shumë më të larta në raport me vlerësimin e kaluar (të vitit 2019) dhe se ka diskrepancë të madhe në nivelin e vlerave sidomos në Zonën 201, 202 dhe 203.  Në takimin që kemi pasur me grupin vlerësues të Departamentit të Tatimit në Pronë kemi dhënë mendimet tona për vlerësim të cilat i kemi përcjellë edhe përmes postës elektronike. Propozimet tona nuk korrespodojnë me Raportin mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale”, thuhet në shkresë.

Me shkresë të ngjashme, Ministrisë i ishte drejtuar edhe Komuna e Kaçanikut. Edhe kjo komunë e cilësonte vlerësimin si jo real, e të paarsyeshëm.

“Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objekte rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri në 80.00% më e lartë për apartment, e poashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi familjare dhe apartment në 4 zona ka zbritje nga -16/675 deri në -20%, ndërsa zonat tjera ngritje nga 0% deri në 166/67% që është e njejtë edhe për parcelat për apartment dhe parcelat për objekte tjera rezidenciale”, thuhet në shkresën që Komuna e Kaçanikut i kishye dërguar MFPT’së, në nëntor të vitit 2023.

LDK’ja propozoi rezolutë kundër shtrenjtimit, pushteti ia rrëzoi

Lidhja Demokratike të Kosovës kishte dalë me një rezolutë pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë, që erdhi pas rivlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Përmes kësaj rezolute, LDK’ja kërkoi që Ministria e Financave të pezullojë rivvlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak.

“Ministria e Financave të pezullojë rivvlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak. Kjo është plotësisht e realizueshme dhe nuk ka asnjë ndikim te komunat sepse buxhetet e komunave janë të planifikuara me ngarkesat e vjetra tatimore të tatimit në pronë”, kishte thënë deputeti Avdullah Hoti, kur e kishte propozuar këtë rezolutë,

Pika e dytë parashihte që Ministria e Financave të sjellë në Kuvend Ligjin për Tatimin në Pronë.

“Ministria e Financave të sjellë në Kuvend Ligjin për Tatimin në Pronë, i cili duhet të përmbajë amandamentet që do të mundësojnë dy gjëra. E para të jep mundësi që të përshtasë ngarkesën tatimore në përputhje me situatën ekonomike dhe këtu mund të nxjerrim indikatorë konkret se kur mund të bëhen këto përshtatje dhe e dyta të lejojë mundësinë që të mund të ndryshohet pragu tatimor, ndoshta të ulet norma minimale”, kishte deklaruar Hoti.

Kërkesa e fundit ishte që Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 fillinisht të bëjë rivlerësimin e pronave dhe zonimin e ri.

“Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat, gjatë vitit 2023 fillinisht të bëjë rivlerësimin e pronave, e ndoshta të kalohet edhe te vlerësimi individual i pronave, e jo të bëhet vlerësimi për gjithë zonën, sepse ka lagje, ka zona të qyteteve, me një zonë ka banesa që janë ndërtu para 60 vjete dhe ka banesa që janë ndërtu para tri vjetëve. Vlera e tyre smund të jetë e njëjtë. Pra gjatë këtij viti të bëhet zonimi i ri dhe vlerësimi i ri”, kishte thënë deputeti i LDK’së.

Por, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar ta miratojë këtë projekt-rezolutë.

Kundër kësaj rezolute kanë votuar 48 deputetë, prej 77 sa kishin marrë pjesë në procesin e votimit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img