20.3 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Buy now

spot_img

Ruecker: Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se Kosova ka bërë arritje të mëdha që nga koha kur ai ishte shef i misionit, duke përmendur mes tjerash mbështetjen që Asambleja Parlamentare i dha vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

I pyetur se a ka ardhur koha që UNMIK-u të përfundojë mandatin në Kosovë, Ruecker tha se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk do të pajtohej që të shfuqizohet rezoluta.

“Ajo çfarë ka ndodhur kohët e fundit, p.sh në Asamblenë Parlamentare në KiE tregon se integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe organizmat euroatlantike është duke përparuar. E di që ende duhet vendimi i Këshillit të Ministrave, megjithatë ky është simbol i asaj se si po progresojnë gjërat”, tha Ruecker në televizionin publik.

“Mendoj se 1244-shi e ka kryer misionin e vet dhe duhet të tërhiqet, por nuk besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Megjithatë më e rëndësishmja është mënyra se si do të shkojë procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizmat evropianë, por edhe në drejtim të anëtarësisë në Kombet e Bashkuara dhe ende ka disa pengesa”, theksoi Ruecker.

E duke folur për veriun e Kosovës, diplomati gjerman tha se është në interes të minoritetit serb që të integrohet në institucione të Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, megjithatë, sipas tij influenca nga Beogradi po i ndalon ata.

“Sipas mendimit tim nuk është në interes as të Serbisë, sepse lejimi i minoritetit serb që të integrohet në Kosovë është edhe në interes të Beogradit, sepse, nëse nuk ndodh kjo, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së”, theksoi tutje Ruecker.

Ruecker ndër të tjera tha se në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka progres, megjithatë, sipas tij, largimi i masave të BE-së ndaj Kosovës do të ndodhë së shpejti.

“Mendoj se është çështje kohe, sepse të gjitha hapat tashmë janë marrë dhe u bë votimi për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Tentimi u bë që të zgjidhet situata politike në katër komunat në veri dhe mendoj se qeveria juaj është në drejtim të duhur dhe besoj se këto përpjekje do të njihen nga BE-ja dhe do të vazhdojnë projektet që janë pezulluar për momentin”, tha ai.

Ish-shefi i UNMIK-ut theksoi se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia ta njohë ‘de-fakto’ Kosovën si shtet.

“Ju e përmendët marrëveshjen e Ohrit dhe hapat e ardhshëm janë të qartë, duhet të formalizohet dhe mendimi im është që duhet të vazhdohet në mënyrë substanciale realizimi i kësaj marrëveshjeje, por Kosova duhet të merret edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të kemi njohje ‘de-facto’ nga Serbia, ndoshta ata nuk e implementojnë, këtë por kjo duhet të vihet në vijën e finishit. Është mjaft e qartë nga ana   e BE-së se këto gjëra duhet të ndodhin”, tha Ruecker.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img