1.8 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

PDK akuza për Lutfi Hazirin: I humbe 3 milionë euro donacione

Sipas kësaj partie, për tetë muaj, Komuna e Gjilanit, nuk ishte në gjendje të krijojë kushtet elementare për realizimin e projektit në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ku do të punësoheshin mbi 100 të papunësuar, për kujdesin e 200 pleqve në këtë institucion.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Gjilan, ka akuzuar rëndë kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, për humbjen e tre milionë eurove donacione.
“Dështimi i projektit për ndërtimin e shtëpisë së pleqve dhe ikja e investitorit britanik nga Gjilani, është një problem serioz dhe shqetësues për mënyrën se si po e qeverisë komunën kryetari Lutfi Haziri dhe humbjet e mëdha që po i shkakton në dëm të qytetarëve të Gjilanit. Trajtimi i keq që qeverisja komunale i bëri këtij donatori dhe investitori britanik, është lajm i keq jo vetëm për Gjilanin dhe Anamoravën, por është një lajm i keq për tërë Kosovën”, thekson PDK.
Sipas kësaj partie, për tetë muaj, Komuna e Gjilanit, nuk ishte në gjendje të krijojë kushtet elementare për realizimin e projektit në vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ku do të punësoheshin mbi 100 të papunësuar, për kujdesin e 200 pleqve në këtë institucion, transmeton lajmi.net.
“ Zyrtarët e lartë të komunës, duke keqpërdorur edhe vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e refuzuan kërkesën e donatorit që bartës i projektit të jetë shoqata e cila ishte ndërmjetësuese për implementimin e këtij projekti, për shkak tendencës së komunës që bartës i këtij projekti të jetë dikush tjetër, me qëllime të përfitimeve personale dhe klanore”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së.
Sipas tyre, këto kushtëzime për projekte të tilla që financohen nga donatorët dhe investitorët e huaj, janë pengesa serioze që e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë klimën për investimet e huaja kudo në Kosovë, e në veçanti në komunën e Gjilanit, e cila gjatë tri viteve të fundit në vazhdimësi e ka prishur imazhin pozitiv, përmes kërcënimeve dhe fyerjeve të rënda që kanë ndodhur nga zyrtarët e lartë të LDK-së në Gjilan.
Jo më larg se në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, të mbajtur më 28 korrik, një asambleist i LDK-së, sipas PDK-së, e quante kriminel investitorin austriak, i cili në vitin 2012 është kontraktuar nga komuna e Gjilanit për realizimin e një projekti investues në vlerë prej 1.5 milion euro, e që kjo qeverisje komunale e dëshiron të dështuar këtë projekt.
“Mos distancimi dhe heshtja e kryetarit të komunës (i cili ishte prezent në seancë), i kryesueses së Kuvendit Komunal dhe i anëtarëve të Kuvendit Komunal, ndaj këtyre fyerjeve e kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë drejtpërdrejtë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, e që po bëhen ndaj investitorëve të huaj, është alarm për gjendjen e rënduar dhe serioze të keqqeverisjes komunale në krye me Lutfi Hazirin”, akuzon PDK-ja.
Gjilani ka humbur edhe të tjerë donatorë të huaj të rëndësishëm, si pasojë e shumë faktorëve duke filluar nga qasja e keqe ndaj tyre, mos angazhimi për krijimin e parakushteve investuese, mos bashkëpunimi adekuat, kushtëzimet dhe pengesat e ndryshme që paraqiten për përfitime korruptive, kërcënimet dhe fyerjet e shumta që po i bëhen nga ky pushtet lokal, vlerëson PDK.
Kjo qasje i ka humbur Gjilanit edhe miliona euro të tjera donacione të ofruara nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare, sikurse që është DANIDA apo edhe nga investitorët tjerë të huaj, thuhet në fund të njoftimit. /

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img