12.4 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Buy now

spot_img

Kurti reagon pas qortimeve ndërkombëtare: I kuptoj shqetësimet, por nuk kishte opsion tjetër

Kryeministri i Kosovës në orët e hershme të së shtunës ka reaguar lidhur me zhvillimet në veri të Mitrovicës ku ka thënë se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por nuk kishte opsion tjetër për kryetarët që të ushtronin funksionin e tyre.

Pasi mbrëmë nuk tha asnjë fjalë, kryeministri Kurti ka thyer sot heshtjen duke thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e punës së tij do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme, shkruan Paparaci.com.

“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.”, ka shkruar Kurti.

Më tutje, në reagimin e tij, Kurti është shprehur se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, por se nuk kishte opsion tjetër për përmbushjen e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.”, ka thënë Kurti.

Më tutje, ai ka ftuar qytetarët, veçanërisht ata serb që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.

“Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve.”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar policinë e Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit.

“Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit.”, ka thënë Kurti.

Kurti ka njoftuar se rrugët në veri janë të gjitha të hapura dhe ka thënë se do të angazhohet për ditë për rend e ligj, demokraci, lëvizje të lirë, siguri e paqe.

“Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët.”, ka shkruar Kurti. /Paparaci.com/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img