20.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Buy now

spot_img

Ish-pjesëtari i UÇk-së: Jam përpjekjur që deputetët të anulojnë Gjykatën Speciale por nuk kam gjetur mbështetje të mjaftueshme

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Humolli ka thënë para Dhomave të Specializuara në Hagë se është skeptik nëse kjo gjykatë do të jap vendime të drejta. Humolli, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është përpjekur ta shfuqizojë Gjykatën Speciale dhe se do të votonte për këtë nëse do të krijohej mundësia. Derisa po dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj Salih Muustafës, ai ka thënë se beson që ish-bashkëluftëtari i tij është i pafajshëm.

Megjithatë, Humolli ka thënë se e respekton institucionin e Speciales meqë e njëjta është krijuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ai është pyetur se si mund të respektojë një gjykatë për të cilën beson që është e padrejtë.

Humolli: Kam bërë përpjekje për anulimin e Gjykatës Speciale nuk kam gjetë mbështetje të mjaftueshme

“Kam bërë përpjekje që deputetët me anulu këtë gjykatë por ende nuk kam mundur me gjet mbështetje të mjaftueshme të deputetëve dhe këtë gjykatë institucionet tona duhet me e kthy në Prishtinë, jo me qenë këtu. Unë kam qenë i dënuar në shtetin jugosllav dhe Jugosllavia i ka pasur të gjitha republikat të mbushura me të burgosur shqiptar, çka ka nevojë sot me u mbush me të burgosur edhe burgjet e Evropës, me i bartë prej Kosovës me ardh këtu, kur KFOR-i ka qenë dhe është në Kosovë, UNMIK-u ka qenë dhe është në Kosovë, EULEX-i ka qenë në Kosovë, dhe sot me thënë që nuk ka mundësi me u zhvillu gjykimet në Prishtinë është ofendim ndaj Bashkimit Evropian, dhe këtu ia ka arrit qëllimit Serbia duke ndërtuar këtë gjykatë ka thënë që EULEX-i nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë, UNMIK-u nuk ka mundur me bë rend e ligj në Kosovë”, ka thënë Humolli.

Humolli ka thënë se është skeptik nëse kjo gjykatë mund të jap gjykime të drejta derisa është pyetur se a beson që ky institucion do të nxjerrë vendime të drejta.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se një vlerësim i tillë i fuqizohet nga mënyra se si ai po merret në pyetje.

Humolli: Prej Aeroportit të Prishtinës, mënyrës si është sjellë kjo gjykatë në raport me neve që jemi shqiptarë, tregon që mua mu ka fuqizuar ajo bindje, por pavarësisht prej kësaj, pa e provuar është obligim i joni qytetar…

Gjykatësja: Mos jepni hollësi për mënyrën si keni udhëtuar këtu.

Prokurori: Nga përgjigja juaj e fundit besoj se ju ende besoni që kështu është, që kjo gjykatë nuk mund të jap gjykime të drejta apo jo?

Humolli: Jam skeptik dhe skepticizmin tim po ma fuqizon mënyra se si bëni pyetje ju. Ende nuk janë krijuar kushtet për me shfuqizu, në momentin e parë që do të krijohen mundësitë për me shfuqizu kjo gjykatë nuk do të jetë më prej Kuvendit të Kosovës.

Humolli ka thënë se i respekton vendimet e Kuvendit të Kosovës, ku edhe është krijuar kjo gjykatë por vazhdon të vlerësojë se e njëjta është ndërtuar në mënyrë të padrejtë.

Humolli: Gjykata Speciale është bërë me presion politik

“Ky institucion është bërë me presion politik, kur e ka votuar Kuvendi i Kosovës njëherë nuk ka votuar për këtë gjykatë dhe si rezultat i presionit të bashkësisë ndërkombëtare, është detyruar edhe njëherë brenda ditës duke i korruptuar deputetët me i votu edhe derisa është bërë në këtë qasje nuk ka mundësi me pas kredibilitet politik, e tash për shkak që është brenda Evropës, jam i bindur që populli evropian nëse e zbaton demokracinë edhe për Kosovën si e ka demokracinë në vendet e veta, atëherë jam shumë i bindur që ne do të dalim dhe mendimet e mija kanë qenë të drejta. E për këtë, respekti është ndaj opinionit ndërkombëtar, opinionit evropian, popullit evropian e jo ndaj vendimeve politike, të cilat i marrin me presione ose interesa ditore”, ka thënë ai.

Megjithatë, Humolli ka thënë se do të flas vetëm të vërtetën në këtë gjykatë derisa ka bërë të ditur se pas arrestimit të Salih Mustafës, ai ka vizituar familjen e ish-bashkëluftëtarit të tij dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të dëshmojë në këtë gjykim nëse është e nevojshme.

Humolli: Besoj që Salih Mustafa është i pafajshëm

“Unë mbështes drejtësinë dhe besoj që Salih Mustafa është i pafajshëm dhe e trimëroj që me qëndru drejt, nëse ka bërë gabime me i tregu gabimet, nëse nuk ka bërë gabime me e mbrojtë vetën deri në fund, ndryshe nuk ka mundur me qenë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës… Për luftën dhe jetën që e ka bërë, atë që kemi ditë, ne e dimë që lufta dhe jeta e tij ka qenë gjithmonë në shërbim të vendit, asnjëherë nuk ka qenë luftë egoiste për interesa personale”, ka thënë dëshmtiari.

Ai ka thënë se arrestimi i Salih Mustafës ka qenë befasi për të.

Humolli: Jemi befasuar me arrestimin e Salih Mustafës

“Salih Mustafa prej luftës dhe pas luftës ka punuar nëpër institucione të Kosovës, ka bashkëpunuar me NATO-n, ka bashkëpunuar me të gjitha mekanizmat ndërkombëtare në sektorin që ka vepruar dhe ka punuar dhe për mua ka qenë befasi arrestimi i Salih Mustafës kur ka shkuar deri në Bruksel me paraqit dijen e tij, përvojën e tij dhe në këtë moment për cilindo qytetar, edhe në media nëse e ke parë, janë befasuar për arrestimin e Salih Mustafës,”, ka shtuar ai.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Llapit ka thënë se arrestime të tilla janë politike dhe nuk synojnë zbardhjen e të vërtetës.

Humolli: Këto arrestime nuk kanë për qëllim zbardhjen e të vërtetës

“Arrestime të tilla, për mendimin tim janë arrestime politike nuk janë arrestime me qëllim për me e zbardhë të vërtetën. Këto mendimet e mija politike nuk e di sa i hynë në funksion gjykatës, nëse do të vërtetosh të vërtetën që them ju po e kuptoni që atë të vërtetë që e kam menduar po ta them edhe tash dhe e them kudo, se është e vërtetë ajo që kam thënë për Salih Mustafën, dhe kanë me qenë të vërteta ato që i them. Unë nuk mërzitem si mendojnë të tjerët për pasojat që munden me u shkaktu pas kësaj, unë e them të vërtetën”, ka thënë ai.

Humolli është dëshmitari i 13-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe dëshmia e tij ka filluar të dëgjohet dje në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ndër të tjera, ai ka thënë se asnjë ushtri në botë nuk ka bërë luftë të pastër si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai është dëshmitari i fundit i Zyrës së Prokuronit të Specializuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës, proces ky i cili ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img