11.4 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Buy now

spot_img

Greva e analfabetizmit

Që nga qershori i 99-tës e deri më sot, Kosova e vogël apo e madhe, ashtu si është mund t’i vargojë të mirat dhe të këqijat e saj. Pa gjykuar mbi vërtetësinë e investimeve, mund të thuhet thjesht e qartë: investimi në infrastrukturën rrugore, investimi privat në pompat e benzinës, investimi në kafene e restaurante, investimet në politikat sociale (pothuaj krejt Kosova merr ndihma, të varfër e të pasur), investimet në bijat dhe bijtë që investuan në lirinë e Kosovës (të burgosurit, luftëtarët dhe mbështetësit e tyre), janë segmentet kryesore që paraja dhe kapitali i Kosovës është ndarë në këto drejtime.

Mirëpo, në kuadër të segmenteve tjera të shoqërisë, ekziston edhe një segment i veçantë në të cilin Kosova e pasluftës ka investuar fuqishëm në krahasim me segmentet tjera të ngjashme.

Natyrisht, fjala është për arsimin e Kosovës. Mbase duke qenë të gjithë të vetëdijshëm se arsimi para luftës, veçmas nga viti 1981 e këndej ka qenë njëra prej vlerave më sublime në misionin e tij, jo për arsim, sa për lirinë e Kosovës. Është krejt normale dhe e pritur që kjo pjesë e shoqërisë ta kishte vëmendjen financiare të të gjitha qeverive të pasluftës të Kosovës. Dhe, ashtu ndodhi realisht.

Rritja e rrogave në arsim ishte befasia më e madhe e shoqërisë së Kosovës ë pasluftës. Menjëherë mësimdhënësit me rrogat e tyre dolën mbi mësimdhënësit e të gjithë rajonit, sado që ishte një investim shumë i madh, për mbi 24.000 mësimdhënës, menaxhment e staf tjetër mbështetës, më në fund mësimdhënësit filluan të marrin rroga të dinjitetshme. Natyrisht, ky nuk ishte hapi i parë dhe i fundit. Po aq të mëdha u bënë investimet edhe infrastrukturën e arsimit. Pothuaj nuk ka fshat, nuk ka lagje, qytet e qytezë që të mos ketë shkolla të reja të ndërtuara. Dhe, investimi nuk mbaron me kaq. U bë prioritet i jashtëzakonshëm arsimi i lartë. Nëpër të gjitha qendrat më të mëdha të Kosovës u themeluan edhe universitetet publike. E kuptueshme që pas investimit në infrastrukturë, në paga e shërbime tjera, është e natyrshme dhe e vetëkuptueshme që mësimdhënësit ta sillnin gjithashtu investimin e tyre, dhe ai ishte shumë i thjeshtë: Ata duhet t’i arsimonin nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës.

Por, nuk ndodhi kështu. Mësuesi, arsimtari, profesori, me një fjalë mësimdhënësit e mbushën barkun mirë me rrogat e tyre dhe me turp të madh vazhduan të prodhonin analfabetë me letra. Natyrisht se ka përjashtime në gjithë këtë filozofi të ligë që e ka kapluar Kosovën tash e 20 vjet. Por, e vërteta është e dhimbshme. Mësimdhënësit prodhojnë analfabetë me diplomë. Ata punojnë pak e marrin shumë.

U investuan milionat në hartimin e programeve. U investua në trajnime nga më të ndryshmet, por arsimi në Kosovë mbeti analfabet. Mësimdhënësit mbetën të paditur dhe greva e vitit 2019 dëshmon katërcipërisht se mësimdhënësit janë njerëzit instiktivë, që kuptojnë jo nga mendja, por nga oreksi i gojës, çfarë ka për t’i ofruar asaj. Ky nivel i padinjitetshëm i tyre nuk ka të bëjë aspak me politikën e padinjitetshmë të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të kësaj qeverie por edhe atyre të tjerave. Pse e themi këtë: Republika e Kosovës, i ka garantuar në masë të kënaqshme dy kushtet kryesore për mësimdhënësit: pagat dhe infrastrukturën.

Mësimdhënësit të paktën duhet ta dëshmonin cilësinë në arsim, mundin e tyre, përgatitjet e tyre për nxënësit dhe studentët. Por, ata nuk e bënë këtë. Ata u trashën në mendje dhe në trup dhe vazhdojnë pa u ndalur në këtë drejtim.

Në Kosovë ka nevojë për shumë gjëra dhe mund të themi se ka nevojë edhe për rishikim të buxhetit për paga, por mësimdhënësit do të duhej të ishin të fundit dhe ata do të duhej të vinin në pyetje pasi Republika t’u përgjigjej të papunëve dhe disa shtresave tjera të cilat nuk e kanë pasur fatin e mësimdhënësve. Prandaj, mund të themi se greva në arsim është grevë e analfabetizmit, është greva e pjesës së pandërgjegjshme të mësimdhënësve të cilët e vlerësojnë barkun e tyre dhe nuk kuptojnë fare që janë përgjegjës për pjesën më sublime që mund të ketë një atdhe, e ai është nxënësi. E nxënësi është e ardhmja.

Një kryeministër i ndërgjegjshëm dhe një qeveri e ndërgjegjshme do të duhej të merrte masa urgjente për të gjithë grevistët pa përjashtim. Në qoftë se do të fitojë greva e analfabetizmit në Kosovë, lirisht mund të thuhet që ka fituar kjo armatë e madhe që ka varrosur cilësinë e arsimit në Kosovë. Prandaj, mund të thuhet me ndërgjegje të plotë: poshtë grevistët e arsimit. Poshtë greva e analfabetizmit.

P.s Qëllimisht nuk u morëm me rezultatet e PISA-s apo testeve tjera të jashtme që e dëshmojnë analfabetizmin e njerëzve me diplomë në Kosovë. Mbase një herë tjetër. /Indeksonline/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img