15.7 C
Pristina
Friday, October 4, 2024

Buy now

spot_img

Fjalimi i plotë i Thaçit në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”

Në përurimin e rrugës “Beau Biden” – që mban emrin e djalit të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden – fjalim ka mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Fjalimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“I nderuari zëvendëspresident Biden,
E nderuara Dr. Biden,
E nderuara familje Biden,
I nderuari Kryeministër,
I nderuari ambasador Delawie
Të nderuar mysafirë të ceremonisë,
Jemi sot në këtë vend për një arsye shumë të veçantë.
Jemi këtu të kujtojmë Beau Biden, por, nëpërmjet këtij kujtimi, të reflektojmë pak edhe për rrugën e përbashkët që kemi ne – Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë botë plot sfida.
Beau Biden i ndjerë, për ata që nuk e dinë, përveç se ishte i biri i zëvendëspresidentit Biden, ishte edhe një nga amerikanët që kanë shërbyer me zell dhe me dashuri në Kosovën e pasluftës.
Si një jurist i ri dhe entuziast, ai ka ndihmuar që të ngritën kapacitetet e para të sundimit të ligjit.
Ai ka ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë të fitojnë përvojën e duhur të drejtësisë, ashtu që Kosova të mos jetë vetëm një shoqëri e lirë, por edhe një vend me të drejta të barabarta.
Ju ftoj të mendojmë pak për këtë koncept të të qenit të barabartë.
Zëvendëspresidenti Biden shquhet në SHBA dhe në mbarë botën si një luftëtar për të drejta të barabarta në mes njerëzve.
Si i pasuri, ashtu dhe i varfëri, si pjesëtari i shumicës etnike, ashtu edhe ai i pakicës kanë lindur mbi këtë tokë e nën këtë diell, me të drejtën e pamohueshme të lirisë dhe të barazisë.
Para 20 vitesh jemi strehuar nëpër male, kur s’ka pasur as autostrada e as rrugë të reja, duke luftuar për lirinë tonë.
Kemi luftuar që çdo njeri të jetë i lirë në Kosovën tonë të përvuajtur.
Kemi pasur një fat të paparë.
Intervenimi humanitar i SHBA-së dhe aleatëve të tjerë na ka shpëtuar.
Partneriteti ynë strategjik tash e një çerekshekulli na ka bërë shtet, na ka bërë një demokraci dhe na ka sjellë në prag të integrimeve euroatlantike.
Në majën e majës së këtij udhëtimi të gjatë, por të rëndësishëm historik midis dy shteteve dhe dy kombeve ka qenë zëvendëspresidenti Biden, fillimisht si senator, pastaj si numri dy i shtetit amerikan, por edhe si baba krenar i Beau Biden.
Beau, i cili erdhi këtu, na dha kohë të çmuar të jetës së tij të shkurtër dhe mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona të përbashkëta.
E nderuara familje Biden,
Më lejoni të ju them edhe ca fjalë në fund:
Beau, disa vite para vdekjes së tij të hershme, ka thënë se “nuk është gjithmonë mirë të përqendrohemi te caku, pa i shikuar mjetet me të cilat arrijmë në cak”.
Nganjëherë duhet të ngrihemi mbi emocione të çastit dhe mbi zhurmën e lajmeve ditore.
Duhet të shikojmë më tutje.
Mu si kjo rrugë ku jemi sot, që është pjesë e një lidhjeje të re të Kosovës me botën, ashtu edhe ne duhet të jemi pjesë e solucioneve rajonale dhe botërore.
Ne, tani, si Kosovë duhet të ofrojmë zgjidhje.
Duhet t’u ofrojmë miqësi fqinjëve dhe duhet t’i mbyllim kapitujt e së kaluarës.
Nëse ia zgjasim dorën edhe një prindi kosovar serb që ende kërkon fëmijën e zhdukur, nuk na bën kjo të dobët, por shumë më të mëdhenj.
Nëse përkrahim të drejtat e barabarta të dashurisë për komunitetin LGBT, nuk na bën kjo më pak të moralshëm, por me fuqi superiore morale.
Nëse kërkojmë të drejtat e një nëne apo motre të goditur nga dhuna familjare, kjo na bën më të fuqishëm.
Nëse ngulmojmë në dinjitetin e veteranit të luftës dhe fëmijëve të veteranëve, kjo na bën më krenarë.
Po ashtu, nëse me Malin e Zi forcojmë partneritet strategjik pa asnjë dilemë për kufirin në mes nesh, nuk na bën kjo humbës historik, por na bën fitues të përbashkët të një ardhmërie të sigurt në NATO.
Nëse plotësisht normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, ne i japim kuptim paqes – pajtimit në mes popujve dhe vendeve tona.
Të gjithë do të jemi fitues.
Zëvendëspresident Biden dhe Dr. Jill Biden,
Ju siguroj këtu, në këtë vend, nën emrin e djalit të juaj të ndjerë Beau Biden, se Kosova është një rrëfim suksesi, është një storie fenomenale e mrekullisë së SHBA-së.
Por, mbi të gjitha, ju informoj se në këtë vend, falë punës tuaj, familjes suaj dhe të ndjerit Beau, jemi duke ndërtuar një vend të barabartë për të gjithë.
Jam i sigurt se bashkërisht do t’ia dalim.
Ju faleminderit!” (sic.), ka thënë Thaçi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img