23.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Buy now

spot_img

Deklarohen të pafajshme tri zyrtaret e Ministrisë së Inovacionit, të akuzuara për korrupsion

Të akuzuarat Behare Sopa, Luljeta Rushiti dhe Arlinda Alija, të cilat në cilësinë e zyrtareve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë deklaruar të pafajshme në seancën fillestare, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ato akuzohen se i mundësuan Organizatës Joqeveritare “Iniciativa e Femrës Kosovare” (IFK), pa i plotësuar kriteret sipas ftesës publike, të shpërblehet me mbështetje financiare dhe të përfitojë shumën e të hollave në vlerë prej 50 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimin rreth fajësisë, tri të akuzuarat e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Lumezi.

Pasi të akuzuarat u deklaruan të pafajshme, gjykatësi Gazmend Bahtiri, i njoftoi se kanë të drejtë që brenda afatit prej 15 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave, si dhe të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurave Behare Sopa, Luljeta Rushiti dhe Arlinda Alija, me arsyetimin se më 20-23 tetor 2018, me cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarsisë (MIN), në Prishtinë, Sopa dhe Rushiti si anëtare të Komisionit për shqyrtimin e ankesave, kurse Alija si kryesuese e komisionit, në bashkëkryerje, e me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, kanë keqpërdorë detyrën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, thuhet se të akuzuarat gjatë shqyrtimit të ankesave të OJQ-ve lidhur me Ftesën Publike – Propozim për të gjitha Organizatat Joqeveritare të shpallur nga MIN, më datë 12 shtator 2018, kanë aprovuar ankesën e OJQ “Iniciativa e Femrës Kosovare” (IFK) me seli në Gjakovë, me vendim nr.749 të 23 tetorit 2018, duke konstatuar se aplikacioni i OJQ- IFK, i plotëson të gjitha kriteret e thirrjes publike te Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarresisë (MIN) edhe pse kjo OJQ nuk i ka plotësuar kriterin e qarkullimit financiar sipas Ftesës Publike, duke i mundësuar kështu që e njëjta, pa i plotësuar kriteret, të shpërblehet me mbështetje financiare dhe të përfitojë shumën e të hollave në vlerë prej 50 mijë euro.

Me këtë, tri të akuzuarat në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale ”Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e sanksionuar sipas nenit 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img