23.3 C
Pristina
Thursday, July 25, 2024

Buy now

spot_img

Tragjedia në Kolovicë, i premtuan se do ta largojnë nga vendi ku i vdiqën fëmijët e tash s’pranojnë as ta takojnë (Foto)

Tetë muaj më parë, në Kolovicë të Prishtinës ndodhi tragjedia e rëndë kur në një gropë të hapur në një pronë private, humbën jetën dy fëmijë të familjes Mramori, Florenta 13 vjeçe dhe Florenti 11-vjeçar.

Babai i dy fëmijëve të mbytur, Muhamet Mramori, thotë se gjatë ceremonisë së varrimit dhe të pamës, zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje nuk iu ndan derës së tij. Ndërsa sot, sipas tij, kur ka nevojë më shumë se kurrë për të mbajtur familjen, “ata nuk bëhen të gjallë”.

“Tetë herë kam trokitur në dyert e Komunës së Prishtinës për t’u takuar me kryetarin, Shpend Ahmeti. Por, takimi nuk ka ndodhur”, ka thënë ai për Telegrafin. “Kemi nevojë për mjek, sepse vajza që na mbeti është me trauma. Ajo ishte aty kur mbyten vëllai e motra e saj. Gjithë familja kemi nevojë për mjek, për idare. Gruaja nuk punon, e unë punoj veç kur më thërrasin si taksist. E vetmja ndihmë që marrë është një social prej 80 eurove. Nuk e di pse Shpendi s’më pranon në zyre”.

Mramori thotë se teksa kishte dhënë një intervistë të drejtpërdrejtë në një televizion të Kosovës, dikush nga Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë një telefonatë.

“Tek kur dola në emision, njëri nga Vetëvendosja më tha që të paraqitem në seli të partisë. I thash që s’kam arsye që të shkoja atje, sepse unë kam punë me Komunën”, thotë babai me zemër të thyer.

Sipas Muhametit dhe gruas së tij Elheme, kryetari Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte premtuar se do t’i vendosnin diku tjetër me banim, që të mos jetë pranë vendit ku u mbytën fëmijët e tyre.

“Më kanë thënë që të mos lodhem me asgjë, se ata i rregullojnë të gjitha. Ma kanë premtuar edhe një vend pune. Bile, çdo  dy muaj më thirrshin për punë, po kur shkoja thoshin se ‘jo s’po bëhet’”, shton Muhameti Mramori.

“Sa ka qenë e pamja, jashtë në oborr qëndronte gjithmonë një i tyre, i Vetëvendosjes. Unë i thosha ‘hajde këtu’, e ai ma kthente: ‘S’po du me ra në sy se po i bie se jemi ne fajtorë’. Pse nuk u interesuan të shkonin andej. Më 23 më vdiqën fëmijët e më 24 qershor erdhën dhe e mbyllën gropën. Pse nuk e mbyllën më herët? A u dashtë të mbytej dikush që të reagonin? Rastin e kam paraqitur në Gjykatë, po s’më thirrën hiç. Avokati është interesuar, por kot”.

Telegrafi ka kërkuar përgjigje në Komunën e Prishtinës, përkitazi me ankesat e Muhamet Mramorit dhe kërkesave të tij të shumta për ta takuar Shpend Ahmetin.

“Kryetari i Komunës i mban takimet me qytetarë në termine të rregullta, në ditë të caktuara. Për shkak të numrit të madh të kërkesave, e për hir të korrektësisë dhe transparencës, kërkesat caktohen sipas radhës”, është përgjigja nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës. /Telegrafi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img