Studentët kundërshtojnë zgjedhjet në UP, nesër në protestë

Advertisement

Disa organizata të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve në këtë institucion të lartë arsimor, si dhe vendimin e ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, për të emëruar tre anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët janë nga kolegjet private.

Advertisement

Për t’i kundërshtuar këto vendime, organizatat e studentëve si: USPE, SKOK dhe Studim Kritik, Veprim, do të protestojnë nesër në ora 11:00 para MASHTI-t.

Florian Bivolaku, kryetar i organizatës SKOK, tha se nuk është e nevojshme dhe as e përshtatshme që në këtë kohë pandemie, të mbahen zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës.

Bivolaku tha se, këto vendime të cilat sipas tij janë të pajustifikuara, do t’i kundërshtojnë në çdo formë dhe me çfarëdo mjeti.

“Për mendimin tonë, nuk është e nevojshme që në këtë kohë të mbahen zgjedhjet studentore në UP, jemi në kohë pandemie dhe kemi gjëra tjera me të cilat duhet të merremi… Ky tentim i menaxhmentit të UP-së, për mbajtjen e zgjedhjeve studentore, për ne është i paarsyeshëm , i pajustifikueshëm si dhe i papranueshëm, do ta kundërshtojmë me çdo formë si dhe me çfarë do mjeti”, tha ai, raporton KP.

Kurse, Flamur Pireva, kryetar i organizatës Studim Kritik, Veprim, tha se kundërshtojnë vendimin e ministres në detyrë Hykmete Bajrami, për emërimin e 3 anëtarëve të këshillit drejtues, të cilët janë nga kolegjet private.

“Është i papranueshëm vendimi i Ministres në detyrë, Hykmete Bajrami, për të emëruar tre anëtarë të këshillit drejtues, të cilët janë shërbyes të kolegjeve private… Sot na kanë ftuar të diskutojmë edhe për zgjedhjet studentore duke e apostrofuar faktin sikurse nuk ka ndodhur asgjë para disa ditëve, me vendimin e kësaj ministre. Ne ju bëjmë të qartë që së bashku nesër në orën 11:00 para MASHT, të tri këto organizata studentore të mbështetura edhe nga shoqëria civile, do të realizojmë një aksion protestues, për të kundërshtuar arrogancën dhe imponimin e kësaj ministre”, tha ai. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës