18.4 C
Pristina
Friday, October 4, 2024

Buy now

spot_img

Situata politike në Kosovë drejt përshkallëzimit

Rikthimi i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës po përkeqëson edhe më shumë gjendjen politike në Kosovë si dhe po ngushton hapësirën për gjetjen e një konsensusi politik për të dalë nga kriza politike në të cilën aktualisht është vendi, thonë analistë të çështjeve politike.
Sipas tyre, situata në Kosovë mund të përshkallëzohet edhe më shumë në kohën e dërgimit të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, në Kuvend.
Analistët thonë se është urgjente që të gjenden forma për të tejkaluar këtë situatë në të cilën ka hyrë vendi dhe se mënyra e vetme mbetet dialogu, por për të cilin, shprehen mjaft pesimistë se ka mbetur hapësirë.
Gazi lotsjellës është rikthyer në Kuvend të martën, gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku po shqyrtohej Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi pak para se të votohet ky projektligj nga komisioni për procedim në kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallë ku po mbahej mbledhja.
Imer Mushkolaj, njohës i rrethanave politike në vend, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës kanë humbur rastin që të gjejnë një zgjidhje të situatës në të cilën ndodhet vendi.
“Është shumë vonë të gjendet një zgjidhje e cila nuk e përmban gazin lotsjellës dhe nuk e përmban dhunën, pasi që është lëshuar rasti me kohë që kjo gjendje të zgjidhet”.
“Duke pasur parasysh se si është zhvilluar procesi në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke pasur parasysh qasjen që e kanë pasur institucionet e Kosovës duke treguar një mospërfshirje të akterëve që do të duhej të ishin konsultuar për këtë çështje, pasi që është çështje nacionale, atëherë për mua kjo pikë në të cilën ka arritur reagimi për këtë çështje është logjik”, thekson Mushkolaj.
Me muaj të tërë ka vazhduar këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Një debat i mbajtur javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror, të ekspertëve, shoqërisë civile, deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare dhe udhëheqësve të institucioneve të vendit, ka ripërsëritur qëndrimet e palëve.
Opozita thotë se Demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por paritë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës.
Analisti i çështjeve politike Ismaj Hasani, ndërkohë thotë se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë e rëndë politike në të cilën ka hyrë vendi është dialogu.
Sipas tij, përsëritje e hedhjes së gazit lotsjellës është shenjë e keqe që flet për mospërgjegjësinë e opozitës në raport me atë që do të duhej të sillej lidhur me debatin me Demarkacionin.
“Nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut sepse marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, rrugë tjetër nuk ka. Nëse duam integrime evropiane nëse duam liberalizim të vizave nëse duam që Kosovën ta shohim pjesë përbërëse të integrimeve euroatlantike atëherë është rruga e vetme është ofrimi i fakteve ofrimi i argumenteve në suazë të dialogut dhe në asnjë mënyrë me sjellje siç është gazi lotsjellës”, thekson Hasani.
Analisti Hasani beson se është momenti i fundit që partitë politike në pushtet dhe atyre në opozitë të gjejnë një zgjidhje.
“Është mirë që të gjitha partitë politike, zyra diplomatike në nivel ambasadash duhet të ofrojnë shërbime sepse është momenti i fundit që kjo kauzë e cila po mbrohet me gaz lotsjellës dhe më mjetë tjera të pa justifikueshme për demokracinë të jenë një storie e së kaluarës për Kosovën”, thotë Hasani.
Megjithatë, analistët shprehen pesimist se para votimit në Kuvend të marrëveshjes për Demarkacion, do të ketë ndonjë konsensus politik. Aq më tepër kur qeveria tashmë e ka proceduar Projektligjin në Kuvend dhe ai po u nënshtrohet procedurave deri në seancën kur pritet të votohet.
Opozita ka paralajmëruar se do të pengoj ratifikimin e marrëveshjes, qoftë edhe me metoda jokonvencionale dhe ato radikale, duke mos e përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img