5 C
Pristina
Wednesday, December 11, 2024

Buy now

spot_img

Shqyrtohet rifillimi i hetimeve ndaj Azem Sylës në Zvicër

Rifillimi i mundshëm i procedurës bazohet në atë se Syla është arrestuar verën e kaluar në Kosovë. Sipas prokurorisë së atjeshme publike ai është “Koka” e një bande të përbërë nga 38 veta.

Në Zvicër po shqyrtohet rifillimi i hetimeve ndaj Azem Sylës
Prokuroria Publike e Soloturnit është duke shqyrtuar të iniciojë sërish procedurën penale të ndërprerë në vitin 2014, ndaj politikanit kosovar, Azem Syla.
Ndërprerja e procedurës në nëntor të vitit 2014 ndaj Sylës do të ketë qenë një goditje e rëndë për shefin e arkës për kompensime (Akso) në Kantonin Solothurn, Felix Wegmüller, shkruan gazeta Aargauer Zeitung.
Ndërsa procedura pati filluar në vitin 2012, për mashtrim të fondeve sociale. Syla ngarkohej se në periudhën 2002 deri 2011 kishte marrë në mënyrë kundërligjore ndihma sociale në shumën prej 480 mijë frangash, transmeton albinfo.ch.
Tash, Wegmüller mund së paku të shpresojë, pasi që bazuar në informatat e reja nga Kosova, Prokuroria është duke shqyrtuar nëse do ta rinisë procedurën ose jo.
“Ne do ta përshëndesnim këtë hap”, ka thënë ai. Sepse, sipas tij, vazhdon të ekzistojë bindja se ndihmat sociale ishin marrë në mënyrë të padrejtë.
Ndërsa Martin Blaser, kryetari i komunës Bibersit, vendi në të cilin ka banuar Syla sa ka qëndruar në Zvicër thotë se për komunën, “Rasti Syla” është i përmbyllur. Asambleja e qytetarëve atëbotë nuk kishte ndërmarrë ndonjë mjet juridik kundër vendimit për ndërprerje të procedurës, dhe me këtë mosveprim, ky rast nuk ka të bëjë më me komunën.
Komuna ka pësuar një dëmtim nga e gjithë kjo. Por mund të kalonte edhe më keq. Pasi që Arka Kantonale e Kompensimit kërkonte nga komuna kthimin e 117 mijë frangave, përcjell albinfo.ch.
Komuna ia ka ndarë në mënyrë jo të ligjshme paratë e shumës kompensuese Azem Sylës. Dhe kjo nuk ka të bëjë me ndërprerjen e procedurës, thotë Blaser. Por duke qenë se mungon një shkelje e konstatuar ligji, atëherë bie edhe e drejta e Akso-s për të kërkuar para nga komuna e Biberistit, mendon kryetari i kësaj komune.
Megjithatë, prokuroria ende nuk ka vendosur nëse do ta rifillojë procedurën ndaj Sylës, thotë një zëdhënës i prokurorisë. Por, prokuroria është në kontakt me autoritetet e Kosovës për të marrë vendimin  përkatës.
Rifillimi i mundshëm i procedurës bazohet në atë se Syla është arrestuar verën e kaluar në Kosovë. Sipas prokurorisë së atjeshme publike ai është “Koka” e një bande të përbërë nga 38 veta. Atij i ngarkohen, veç tjerash, mashtrimi, larja e parave dhe dhënia e mitos (korruptimi), transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.
Banda thuhet të ketë fituar mbi bazën e mashtrimit 30 milionë euro, duke korruptuar njerëzit ndërmjetësues dhe duke falsifikuar dokument. Pika vendimtare është se banda ka qenë aktive në vitin 2006. Në këtë kohë, politikani kosovar jetonte edhe më tutje në rrethin e Solothurnit dhe ka marrë edhe për pesë vite të tjera ndihma sociale.
Në vitin 2011 Zyra Kantonale për Migracion ia hoqi atij lejen e qëndrimit të përhershëm (viza C), gjë që e ka vërtetuar edhe Gjykata Federale, percjell albinfo.ch. Në majin e vitit 2012 Syla qe detyruar të lëshonte Zvicrën dhe i është ndaluar për pesë vjet hyrja në Zvicër.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img