23.6 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Buy now

spot_img

Qytetarët pa mundësi për t’i paraqitur provimet për patentë shoferë

Që nga java e shkuar, në Qendrën për patentë shoferë në Prishtinë mungojnë fletëpagesat për paraqitjen e provimeve teorike dhe praktike për pajisje me leje të ngasjes së kategorisë B. Qytetarët shprehin ankesa, e në Ministrinë e Infrastrukturës e japin zotimin për zgjidhjen e shpejtë të problemit, me anë të tenderit për furnizim, të hapur të premten e javës së shkuar

Arlind Gashi, të martën e kësaj jave doli nga qendra për patentë shoferë në Prishtinë pa arritur që ta paraqesë provimin teorik për t’u pajisur me leje të ngasjes, shkaku se qysh nga java e shkuar, në këtë qendër mungojnë fletëpagesat për kategorinë B.

Si pasojë e kësaj, ai thotë se për paraqitjen e provimit duhet që të presë të paktën deri nga mesi i marsit.

“Erdha prapë ta paraqes, por po thonë që nuk ka fletëpagesa. Tash nuk e di sa kemi për të pritur. Në njoftim thuhet që do të presim deri më 13 mars 2023. Tani e shohim”, është ankuar Gashi.

Krahas tij, vërejtje rreth mungesës së fletëpagesave kanë shprehur edhe disa qytetarë të tjerë.

“Jo nuk kishte fletëpagesa. Kjo është tmerr”, ka thënë një nga ta.

“Nuk munda ta paraqes, sepse nuk kishte material”, ka theksuar tjetri.

Në njoftimin e vendosur para kësaj qendre bëhet e ditur se furnizimi me materialin e nevojshëm do të bëhet nga e hëna.

E në Departamentin për patentë shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës vonesën e furnizimit e arsyetuan me funksionalizimin e sistemit elektronik.

“Është e vërtetë që kemi pasur probleme lidhur me fletëpagesa, megjithatë kemi ndërmarrë masa lidhur me furnizimin e fletëpagesave, duke i marrë nga njësitë e tjera rajonale, që nënkupton se së shpejti fillojmë me lëshimin e fletëpagesave në të gjitha njësitë për patentë shoferë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. “Vonesat në shpërndarjen e fletëpagesave kanë ardhur si pasojë e fillimit të projektit të digjitalizimit të sistemit të patentë shoferit, që nënkupton që së shpejti përmes sistemit do të vendosen pagesat online për fushën e patentë shoferit. Andaj, si rrjedhojë e kësaj, ka pasur vonesa në distribuimin apo shpërndarjen e fletëpagesave”.

Në këtë institucion kanë thënë se janë ndërmarrë edhe masa të tjera për shtypjen e fletëpagesave, duke i ndjekur procedurat e prokurimit. Bazuar në përgjigjen dhënë KOHËS, kjo ministri tani është në procesin final të shtypjes së tyre dhe është shfaqur shpresa që brenda kësaj jave të përfundojë procesi.

Tenderi në vlerë prej 4 mijë eurosh, i hapur të premten e javës së shkuar nga Ministria e Infrastrukturës për furnizimin me blloqe të fletëpagesave për kategorinë B të patentë shoferit, është mbyllur të mërkurën.

Përveç mungesës së fletëpagesave, aktualisht ka edhe vonesa në lëshimin e kartelave të patentë shoferit, si rrjedhojë e mungesës së mëhershme të këtij materiali. Ndërkaq, për t’iu nënshtruar testimit praktik, pas atij teorik, qytetarët presin edhe deri në një muaj, shkaku i numrit të vogël të ekzaminuesve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img