14.2 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Buy now

spot_img

Qëndrimi i prerë i Amerikës për çështjen e dinarit: Nëse zgjidhjet e Qeverisë pengojnë objektivat, do të jemi kritikë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e ambasadës amerikane në Prishtinë, ka folur për çështjen e rregullores së BQK-së, për të cilën ai dhe diplomatët e tjerë amerikanë kanë pasur reagime të ashpra.

Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Ai ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.

Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së, dhe këtu e ka shprehur pakënaqësinë e SHBA-së për nivelin e partneritetit që ka me Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier për vendimin, duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.

Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës në Kosovë, prandaj duhet të diskutohet kjo çështje.

 

I pyetur se çfarë mund të rrezikohet nga dëmtimi i partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës, ai ka thënë se SHBA-ja është më e përkushtuar se kurrë ndaj popullit të Kosovës, por jo nuk nënkupton që secila qeveri e Kosovës do të fitojë përkrahje për zgjedhjet që bën.

“Nëse ato zgjidhje janë në përputhje me vizionin tonë, do t’i përkrahim, nëse e vërejmë që ato pengojnë objektivat tona, do të jemi kritikë”, ka thënë Hovenier, duke paralajmëruar se një partneritet i degraduar ka për rezultat pasoja.

Hovenier është shprehur i hutuar nga pyetja nëse ekziston mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare për marrëveshje me Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi një marrëveshje të mirë, të arritur pothuajse një vit më parë”, ka thënë Hovenier, si referencë për pajtueshmërinë e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, për zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ai ka rikujtuar që si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë marrëveshjen si të obligueshme për të dyja palët, dhe krejt çfarë duhet tani është gatishmëria për të punuar në zbatimin e saj.

“Por, ne jemi të zhgënjyer që nuk është duke ndodhur diçka e tillë”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img