22.4 C
Pristina
Monday, June 3, 2024

Buy now

spot_img

Oficeri i ushtrisë gjermane fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari 02540 u diskutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, tha Clanton.

Prokurorja tha se dëshmiari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.

Dëshmitari tha se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, më 1999-ën, ai tha se ka qenë major.

Po ashtu, Klaus-Jensch pohoi se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img