13.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Buy now

spot_img

Nën tensionet për ndalimin e kosovarëve, sot mbahet takimi Bislimi-Petkoviq për dinarin në Bruksel

Përkundër tensioneve të reja pas ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë gjatë ditës së djeshme, Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se sot mbahet takimi i katërt për dinarin në Bruksel, ku pritet të takohen dy kryengeciatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Për këtë takim ka folur para disa ditësh edhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se pret që të dyja palët të vijnë në takim me një “mendje të hapur”.

Ndryshe, Bashkimi Evropian tha të mërkurën se është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth këtij rasti që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.

Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img