15.3 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Buy now

spot_img

Mosmarrëveshje a blerje kohe për Asociacionin

Askush nuk ka pritur që në takimin e 2 majit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të ketë pajtim lidhur me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Ognjen Gogiq.

Në takimin e kryesuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, ka prezantuar draft-statutin për formimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti tha se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”. Sipas tij, dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht në papajtueshmëri me kushtetutshmërinë”.

Kurti në këtë takim ka propozuar “një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Një ditë më vonë, më 3 maj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka këmbëngulur se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015 (Marrëveshja për parimet e Asociacionit), ose do të jetë fundi i gjithçkaje ”.

Megjithatë, Borrell ka theksuar se me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit dhe se pavarësisht që palët nuk janë pajtuar, “ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”.

“Bashkimi Evropian do të japë draftin e fundit” për Asociacionin

Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, vlerëson se askush nuk ka pritur që pala e Kosovës do të pajtohet me draftin për Asociacionin, të cilin e ka hartuar Ekipi Menaxhues. Siç thotë ai, përmbajtja e atij drafti nuk i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2015 kishte vlerësuar se Marrëveshja për parimet mbi të cilat do të formohet Asociacioni, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit.

“Mirëpo, ajo që tha zoti Borrell, mendoj se ka kuptim, sepse është vetëm hapi i parë i diskutimit rreth modelit apo statutit që do të hartohet. Unë besoj që do të jetë rrugë e gjatë, sepse do të mbahen shumë takime që do të përfundojnë pa sukses. Besoj që drafti, në fund, do të bëhet nga Bashkimi Evropian, do t’iu prezantohet palëve dhe do të jetë, në njëfarë mënyre, i detyrueshëm për zbatim”, thekson Qalaj.

Më 27 shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Më 18 mars palët janë pajtuar edhe për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, e cila parasheh një nivel të caktuar të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, pala serbe i ka ngritur pritjet dhe ato shkojnë përtej Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për formimin e Asociacionit, si dhe Marrëveshjes së vitit 2015, mbi parimet për formimin e tij.

“Pra, 18 marsi (Marrëveshja në Ohër) i tejkalon këto zotime. Marrëveshja për vetëmenaxhim të komunitetit i tejkalon ato dhe ka shkaktuar pritje tjera. Unë besoj që do të shkohet drejt një modeli të ndërmjetëm, i cili do t’u ofrohet palëve për të negociuar. Dokumenti, si i tillë, negociohet fjalë për fjalë. Por, mandati i takon Ekipit Menaxhues dhe ndërmjetësit, që të ecet përpara”, thotë Haziri, raporton REL.

A është i mundshëm përshkallëzimi i situatës në veri?

Në takimin e 2 majit në Bruksel, Kurti dhe Vuçiqi miratuan Deklaratën për të Zhdukurit, përmes së cilës synohet zgjidhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjithashtu, u diskutua edhe për çështjet aktuale dhe situatën në terren.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ka shprehur shqetësimin për situatën në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve që atje u mbajtën më 23 prill, për kryetarët e katër komunave veriore (Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan) ku pati dalje të ulët në votime.

Në këto votime, serbët lokalë, përgjithësisht nuk morën pjesë.

Borell tha se këto zgjedhje “nuk ofrojnë situatë politike afatgjate dhe se “kanë potencial për të çuar në përshkallëzim dhe për të minuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

Analisti Agon Maliqi vlerëson se deklarata e Borrellit është një lloj vlerësimi i BE-së dhe Perëndimit në përgjithësi, për potencialin që mund të shkaktojë përshkallëzim në veri të vendit, si dhe situatën e paqëndrueshme atje, në kontekstin e krijuar muajt e fundit.

“Ata vlerësojnë në bazë të analizave dhe informatave që kanë, se ka mundësi që situata të përshkallëzohet, qoftë me nismat e palëve apo të ndonjë pale të tretë. Së dyti, kjo është një lloj tërheqjeje e vërejtjes për palët që të përqendrohen te procesi politik i negociatave dhe të mos e përdorin situatën e sigurisë për ta minuar procesin e negociatave”, thotë Maliqi.

Politologu Gogiq shpreh mendimin se situata në veri, ndonëse ndihet tensioni, nuk do të përshkallëzohet, për shkak se pala serbe dhe kosovare dëshirojnë që të tregohen konstruktive në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas tij, secila palë, dëshiron që pala tjetër të duket jokonstruktive.

“Të themi se, në qoftë se do të ndodhnin incidente në veri, pala që do t’i nxiste ato, do të shihej si palë që po e minon dialogun. Këtë nuk e do askush aktualisht. Kështu që, më shumë do të jetë një garë politike sesa në terren”, thekson Gogiq.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar se palët do të vazhdojnë të diskutojnë lidhur me Asociacionin, në takimet e ardhshme të grupeve negociatore.

Draft-vizioni, siç e ka quajtur kryeministri Kurti dokumentin e propozuar nga ai, për rregullimin e çështjes së komunitetit serb në Kosovë, i referohet pikës së 7-të të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Dokumenti parasheh një projekt-statut, në të cilin “vetëmenaxhimi do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë të promovojnë interesat e tyre përmes kornizës vetëmenaxhuese”.

Dokumenti, ndër të tjera, thotë se “do të nxisë projektin joterritorial”, “do të sigurojë një kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit” me Qeverinë e Kosovës, si dhe do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, organizatat ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia.

Projekt-statuti, siç thuhet në propozimin e Kurtit, “do të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img