16.7 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Buy now

spot_img

Lapidarët që ndërtoi Astrit Dehari

Shkruan: Jusuf Thaçi
 
Astrit Dehari vdiq ose u vra në burgun e Prizrenit. Astriti ishte edhe zyrtarisht edhe praktikisht aktivist politik i Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe arrestimi i tij edhe mbajtja në paraburgim e tij ishte tërësisht politike.
Rrjedhimisht vdekja e tij as nuk mund të depolitizohet e as nuk mund të trajtohet si rastet tjera të ngjashme që eventualisht kanë ndodhur ose mund të ndodhin në burgjet e Kosovës. Për më tepër, Astrit Dehari vdiq në konak të shtetit, në duart e shtetit, nën mbikëqyrjen e shtetit, nën mbrojtjen e shtetit. Së këndejmi, cilado qoftë mënyra a shkaktari i vdekjes së tij (përveç vdekjes natyrore që është përjashtuar si opsion), funksionarët shtetërorë e institucionalë duhet të mbajnë përgjegjësi morale, politike, institucionale e profesionale për këtë vdekje.
Pavarësisht kësaj, ende askujt nuk i shkoi në mendje të japë dorëheqje e as që pritet ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk dha dorëheqje as ministri i brendshëm e as ministrja e drejtësisë në shenjë përgjegjësie morale e politike, as drejtori i shërbimit korrektues të Kosovës e as drejtori i burgut të Prizrenit në shenjë përgjegjësie institucionale e profesionale. As kryeministrit të vendit nuk i shkoi në mendje që të shkarkojë ndonjërin nga ministrat e resorit që mbajnë përgjegjësi morale e politike e as të kërkojë shkarkimin e udhëheqësve të institucioneve që mbajnë përgjegjësi institucionale e profesionale për këtë vdekje.
Kjo heshtje e kjo papërgjegjësi shtetërore e institucionale merr përmasa e ngjyrime kriminale sidomos që nuk u ndërmor asgjë ndaj komandantit të policisë për rajonin e Prizrenit, i cili duhej shkarkuar menjëherë dhe të ndërmerreshin masa ndaj tij, që nga momenti kur u kuptua se ai kishte gënjyer për shkaktarin e vdekjes së Astritit, me qëllim të fabrikimit të të vërtetës. Kur një zyrtar kaq i lartë policor gënjen publikisht e zyrtarisht për diçka kaq të rëndësishme e kaq të ndjeshme, i tilli më nuk mund të quhet polic. Në rastin më të mirë mund të jetë milic, në rastin më të keq mund të jetë mercenar, bashibozuk ose paramilitar. Dhe është e frikshme që të tillët kanë vend, madje në pozita të larta udhëheqëse, në Policinë e Kosovës.
Të gjitha këto të bëjnë që të neveritesh dhe të frikësohesh gjerë në palcë se sa pak vlerë i jepet jetës së qytetarit e sa pak çmohet jeta e njeriut në Kosovë nga institucionet shtetërore.
Por, nuk është neveritëse dhe e frikshme vetëm heshtja e institucioneve e papërgjegjësia e tyre. Është po kaq neveritëse dhe e frikshme edhe heshtja për rastin e Astrit Deharit e shumë individëve publik-ndikues dhe e shumë organizatave që mbahen se i mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut. Individë e organizata të tilla reagojnë privatisht, nxjerrin komunikata publike, organizojnë protesta reale e virtuale dhe çirren si humanistë edhe për rastet shumë më pak të ndjeshme e më pak të rëndësishme se jeta e njeriut, që ndodhin në Kosovë, për ndonjë paragraf me përmbajtje diskriminuese në tekste shkollore e libra universitarë, për ndonjë rast të dhunës në familje që mund të jetë nga ndonjë anëtar i çekuilibruar i familjes, etj.. Madje të tillët reagojnë shumë ashpër edhe kundër vrasjes së qenve endacakë, të cilët kanë mbytur edhe njerëz në Kosovë. Ndërsa heshtin për vdekjen enigmatike të një të riu, i cili ishte i burgosur politik, e i cili vdiq në duart e shtetit dhe për vdekjen e të cilit ende nuk ka asnjë dorëheqje apo shkarkim të atyre që mbajnë përgjegjësi morale, politike, institucionale e profesionale për këtë vdekje.
Kjo heshtje e tyre për rastin e Astrit Deharit dëshmon se individët dhe organizatat e tilla, megjithëse thirren në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nuk e çmojnë fare jetën e njeriut, ose janë frikacakë që nuk guxojnë të flasin fare, ose janë humanistë mercenarë – ose të tria së bashku. Ky është vërtet nj fakt i frikshëm. Të tillët janë po aq të rrezikshëm sa edhe pushtetarët e papërgjegjshëm të Kosovës dhe janë po aq përgjegjës para qytetarëve të Kosovës dhe para Astrit Deharit sa edhe pushtetarët dhe institucionet e Kosovës.
Rasti i Astrit Deharit na tregoi edhe një të vërtetë të hidhur, sigurisht të frikshme, për shtetin tonë. Me dyshime shumë të bazuara dhe me plot të drejtë familja Dehari (por edhe shumë prej qytetarëve) nuk kanë besim se institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës do të kryejnë hetim profesional, të drejtë e të paanshëm për ta zbardhur deri në fund rastin e Astritit, për ta zbardhur të vërtetën rreth tij. Prandaj, me të drejtë kërkojnë hetim ndërkombëtar e të pavarur për ta zbardhur këtë rast dhe shpresoj që në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti të përfshihen institucione kredibile ndërkombëtare (si FBI ose të ngjashme). Në të kundërtën, gjithçka që del nga institucionet tona relevante për këtë do të jetë e kontestueshme. Kjo dëshmon që çfarë shteti të pabesë e jokredibil kemi. Ndaj është e frikshme kur e imagjinon se pikërisht këtij shteti ia besojmë jetën tonë, jetën e pasardhësve tanë, të ardhmen tonë, të ardhmen e pasardhësve tanë, pasurinë tonë, taksat tona, zhvillimin tonë, mirëqenien tonë, shëndetin tonë, edukimin tonë.
Përveç këtyre, rasti i Astrit Deharit na shpërfaqi lakuriq diçka edhe më të madhe, edhe më të frikshme në Kosovë. Ende nuk kemi një version zyrtar përfundimtar për mënyrën dhe shkaktarët e vdekjes së Astritit. Por, edhe zyrtarisht edhe praktikisht, është i hapur edhe opsioni që Astriti të jetë vrarë nga dikush, gjë që do ta bënte këtë jo vetëm vrasje politike, por edhe vrasje shtetërore. Vet fakti që shteti është i dyshuar për vrasje do duhej të bënte që gjithë qytetarët e Kosovës të tmerroheshin e të ngriheshin në këmbë. Por pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës po heshtin para këtij fakti. Kjo dëshmon që shumica e qytetarëve të Kosovës e pranojnë si të mundshme, madje dhe si normale, që shteti ynë mund të vrasë qytetarët e vet. Kjo ide për shtetin e kjo mendësi qytetare është pika e fundit ku mund të degjenerojë një shtet e një shoqëri.
Astrit Dehari shkoi në botën e përtejmë. Por me futjen e tij nën dhe, ai u sigurua që t’i nxjerrë mbi dhe si lapidarë këto të vërteta të frikshme për shtetin, institucionet, pushtetin, shoqërinë dhe qytetarët tanë. Po nuk i kuptuam si duhet këto të vërteta e po nuk reaguam si duhet ndaj këtij realiteti në Kosovë, atëherë është Astriti ai që duhet të qajë për ne, jo ne për Astritin! Shpresoj që të vijë koha që ta falënderojmë Astritin për qirinjtë që na i ndezi për ta parë të vërtetën, e jo t’i kërkojmë falje për shuarjen e këtyre qirinjve dhe rikthimin tonë në errësirë!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img