10.3 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Buy now

spot_img

Lajçak e përsërit: Më shqetësoi çka dëgjova në Veri, në Prishtinë kërkova të mos ketë lëvizje të pakoordinuara

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar të dielën për vizitat zyrtare që i kishte gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd.

Lajçak tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd kishte për qëllim përgaditjen për raund tjetër të bisedimeve në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Por Lajçak ka deklaruar se në Veriun e Kosovës ka dëgjuar “gjëra shqetësuese”, duke kërkuar nga Kosova të mos bëjë veprime të pakoordinuara.

”Është mirë që jam kthyer në Bruksel pas vizitës sime në Kosovë dhe Serbi, ku udhëtova për të përgatitur terrenin për raundin tjetër të takimit të Kryenegociatorit në Bruksel. Ndalesa ime e parë ishte në Prishtinë, ku u takova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi. Gjatë takimit diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën e fokusimit të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin”, ka thënë Lajçak.

”Më pas vazhdova vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit. Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë emisari i BE-së.

Ai ka shkruar edhe për vizitën që e kishte në Beograd, pikërisht për çështjen e dialogut.

”Vizita ime më pas vazhdoi në Beograd, ku u takova me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq. Gjatë takimit tonë, ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit për t’u përgatitur për takimin në Bruksel që do të zhvillohet nesër. Pres që të dy kryenegociatorët të jenë të gatshëm të bien dakord për hapat konkretë të ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes”.

Siç ka njoftuar zyra për media e zëvendëskryeminsitrit, Besnik Bislimi, ky i fundit është nisur për në Bruksel ku do të ketë takim me drejtorin e të ashtuquajturit “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Lajçakut.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img