10.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Buy now

spot_img

Kurti merr pjesë në takimin përmbyllës të Këshillit Ministror të Ujërave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin në përmbyllje të mandatit të këshilltarëve të Këshillit Ndërministror të Ujërave.

Aty u diskutua për arritjet dhe sfidat që mbetën të trajtohen në vijim.

Kurti theksoi nevojën dhe rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

“Me marrjen e detyrës filluam menjëherë t’i kthejmë propozimet tona në veprim. Angazhimi ynë për të përmirësuar kuadrin e sektorit të ujit ishte evident kur mbështetëm vazhdimësinë e Këshillit Ndërministror të Ujit më 4 Mars 2020. Kjo nismë mori rëndësi të mëtejshme gjatë pandemisë COVID-19, duke theksuar rolin kritik të menaxhimit të ujit në shëndetin publik dhe sigurinë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se “çdo hap që kemi ndërmarrë përputhet ngushtë me ato diskutime fillestare, duke siguruar që rruga jonë të mbetet e vërtetë ndaj vizionit që kemi parashtruar përpara marrjes së detyrës”.

I pari i Qeverisë së Kosovës, para të pranishmëve, përmendi veprimet e ndërmarra në disa fusha, duke thënë se janë në prag të finalizimit të një ligji transformues për menaxhimin e resurseve ujore; monitorimin e fuqishëm dhe përmirësimin e infrastrukturës; hapat e ndërmarrë në planifikimin strategjik.

“Tani jemi duke miratuar në mënyrë aktive Planet e Menaxhimit të Pellgjeve Lumore për Drinin e Bardhë të përkrahur nga SIDA Suedeze, dhe për tri pellgjet tjera – Ibër, Lepenc dhe Morava e Binçës të mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim. Për më tepër, kemi zhvilluar një strategji koncize dhe të zbatueshme për ujin për periudhën 2023-2027, duke siguruar që menaxhimi ynë i ujit të përputhet me nevojat shtetërore dhe standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Sa i përket zhvillimit të digave, Albin Kurti tha se progres i dukshëm përfshin digat e Kamenicës dhe Firajës. Kjo e fundit është thelbësore në sigurimin e ujit për Kosovën Juglindore, duke përfshirë rajonet e Gjilanit, Ferizajt, por edhe të Prishtinës.

“Studimet e fizibilitetit janë përfunduar po ashtu edhe për digat e Pollatës, Dragaqinës dhe Kuçicës, dhe pikërisht sot në një ngjarje paralele po starton projekti i hartimit të Master Planit të Digave për Kosovën, i cili do të ofrojë një plan gjithëpërfshirës për zhvillimin e ardhshëm të resurseve ujore”, theksoi kryeministri.

Ai tha se ndihet i lumtur që gjithashtu po mbështesim zhvillimin e resurseve të reja njerëzore në sektorin e ujit, të demonstruar nga hapja e sektorit për profesionistë e rinj dhe nisjen e një programi master në menaxhimin e integruar të resurseve ujore nga tetori 2023, me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane sërish.

Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për qeverinë zvicerane dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, mbështetja e të cilëve ka qenë e domosdoshme.

“Arritjet që ne festojmë sot, janë një dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta gjatë dy dekadave e gjysmë të fundit. Falënderoj veçanërisht këshilltarët tanë të deleguar, ekspertiza dhe përpjekjet e palodhshme të të cilëve kanë qenë thelbësore në përparimin tonë. Kontributet e tyre janë të paçmueshme dhe ne jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tyre”, tha kryeministri Kurti.

Në anën tjetër nga këshilltarët e Këshillit Ndërministror të Ujërave u prezantua gjendja e sektorit, sfidat dhe propozimet për të vazhduar më pas me prezantimin nga ministrat pjesëmarrës, për reformat për zhvillim të sektorit të ujërave.

Në këtë tryezë të pranishëm ishin edhe ministrat Artane Rizvanolli e Liburn Aliu, zëvendësministrat Getoar Mjeku e Agon Dobruna, përfaqësues nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, si dhe përfaqësues të kompanive rajonale të Ujësjellësit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img