18.4 C
Pristina
Friday, October 4, 2024

Buy now

spot_img

Kosova iu kundërpërgjigjet pretendimeve të Serbisë për pronat

Autoritetet e Kosovës iu kanë kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka përsëritur se disa prona të cilat gjenden në Kosovë, përfshi edhe ato që njihen si gjigantë të ekonomisë kosovare, janë prona të Serbisë.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë ritheksuar se çdo pronë që është në territorin e Kosovës është e Republikës së Kosovës dhe se nuk i takon dhe as nuk do t’i takojë Serbisë.
Aleksandër Vuçiq, gjatë paraqitjes së programit të tij për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ditë më parë ka deklaruar se mbrojtja e pasurisë së serbëve në Kosovë do të jetë në krye të prioriteteve të Qeverisë së Serbisë.

“Kemi luftuar gjithë kohën dhe do të luftojmë për Trepçën, Gazivodën, për infrastrukturën në Brezovicë, edhe pse e dini se si jemi ballafaquar me privatizimet e paligjshme dhe me tjetërsim të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, ka thënë Vuçiq.
Në lidhje me këto pretendime, Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se deklaratat e kryeministrit të Serbisë janë të kota.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Havolli thotë se gjithçka që është pronë e Kosovës, qoftë publike, shoqërore apo private, do të mbetet e statutit të tillë, ashtu siç është paraparë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Në këtë drejtim, as Trepça, as Gazivoda, e asnjë pronë tjetër që gjendet në territorin e Kosovës nuk do t’i takojë askujt tjetër përveç Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve të Kosovës. Këto deklarata të kryeministrit Vuçiq janë disa deklarata të kota që bëhen për konsum të brendshëm në ambientet e tyre”, thekson Havolli.
Ai shton se për institucionet e Kosovës është më rëndësi të respektohet Kushtetuta, të respektohen ligjet e Kosovës, si dhe të sigurohen plane zhvillimore për të gjitha këto asete, të cilat janë strategjike për ekonominë e vendit.
Sidoqoftë, Serbia vazhdimisht ka pretenduar në pronat të cilat gjenden në Kosovë. Së fundi, ka qenë rasti i kompleksit turistik Brezovica, i cili thuhet se ka dështuar pikërisht për shkak të një letre që Qeveria e Serbisë iu kishte dërguar investitorëve për të mos hyrë në procesin e koncesionimit të këtij projekti.
Dështimi i dhënies me koncesion të kompleksit turistik Brezovica ishte konsideruar nga ekspertët e ekonomisë humbje jashtëzakonisht e madhe për ekonominë e Kosovës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Serbia mund ta ketë penguar këtë proces, por që nuk kishte pasur rol vendimtar.
“Ka pasur tentativa gjatë gjithë procesit që Serbia të ngadalësojë qoftë agjendën ekonomike, qoftë atë të integrimit evropian të Kosovës, apo anëtarësimin në mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë”.
“Në rastin e Brezovicës ka pasur tentativa, ka pasur edhe një letër që iu është dërguar investitorëve potencial, por nuk besoj që ka pasur rol vendimtar. Ne si institucione dëshirojmë të punojmë me investitorë të cilat e njohin sovranitetin e këtij vendi, të cilët janë në gjendje të vijnë dhe të punojnë sipas Kushtetutës së këtij vendi”, kishte thënë Bajrami.
Ndërkohë, edhe ministrja Bajrami kishte theksuar se Serbia nuk e ka asnjë të drejtë legjitime mbi asetet që gjenden në territorin e Kosovës.
Derisa kryeministri i Serbisë pretendon se disa nga asetet e Kosovës i takojnë Serbisë, Kosova zyrtarisht ka prona të ndërmarrjeve shoqërore në Serbi.
Sipas një dokumenti të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore. Në bazë të dokumentit të kësaj agjencie, shumica e pronave janë lokale dhe zyra.
Lidhur me zgjidhjen e problemit të pronave që gjenden jashtë territorit të Kosovës, ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që ta zgjidhin këtë çështje. /rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img