23.6 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Buy now

spot_img

Koncerti për Nënë Terezën dëshmon vlerat artistike të shqiptarëve

Koncerti i cili mblodhi yjet shqiptare të skenave botërore dhe iu dedikua humanistes shqiptare Nënë Tereza, kapërceu kufijtë e një evenimenti të rëndomtë muzikor.

U cilësua imazh pozitiv për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Kjo ngjarje, që zuri vend në Bazilikën Papnore të Shën Palit në Romë, i parapriu ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, që u mbajt të dielën në Vatikan.
Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës bashkë me yjet e mëdhenj shqiptarë, të shtunën mbrëma, para botës dëshmuan nivelin artistik përmes koncertit madhështor, shkruan sot “Koha Ditore”. Programi i ndarë në dy pjesë, e para me kryevepra të kompozitorëve botërorë, dhe e dyta me vepra të kompozitorëve shqiptarë, solli në skenë sopranot me nam Inva Mula, Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi.
Po ashtu edhe tenorin Ramë Lahaj, baritonin Gëzim Myshketa dhe violinistin Shkëlzen Doli. Sensacion i mbrëmjes u bë ylli kosovar me famë botërore Rita Ora, e cila hapi mbrëmjen me futbollistin e njohur, njëherësh kapiten i skuadrës së Kombëtares, Lorik Cana. Për 90 minuta, bazilika e njohur qe shndërruar në qendër të vëmendjes. Koncerti u transmetua drejtpërdrejt në shumë vende të botës, ku u ndoq nga miliona shikues.
Të pranishëm në këtë ngjarje madhështore ishin rreth 5 mijë veta, duke përfshirë këtu edhe delegacionin shqiptar, në përbërje prej dy kryeministrave, atë të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa. Qeveria e Kosovës ka ndarë 300 mijë euro për këtë koncert, i cili mori epitetin mbarëkombëtar.
Imazh pozitiv për vendin
“Mirëmbrëma zonja e zotërinj. Motra e vëllezër, mirëmbrëma”, ishin fjalët e para të Rita Orës, e cila foli në shqip. Bashkë me Lorik Canën ftoi publikun që të shijojë koncertin 90-minutash, një ditë para shenjtërimit të Nënë Terezës.
Një figurë e diskutueshme gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, humanistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u lavdërua dhe u kritikua për pikëpamjet e saj kundër abortit. Megjithatë, për shqiptarët mbetet një prej figurave më të rëndësishme të kombit si një murgeshë katolike dhe misionare që më shumë se gjysmën e jetës e kaloi duke u kujdesur për të tjerët. E, koncerti që mblodhi shqiptarët në një vend erdhi si falënderim për veprën dhe jetën e Nënë Terezës, i bërë përmes muzikës.
Me gjithë qëllimin që pati ky koncert, pesha iu shtua për faktin se bëri bashkë muzikantë shqiptarë të nivelit më të lartë artistik në një vend. Fuqia e këtij bashkëpunimi u dëshmua qysh në momentet e para, kur Kori i Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Rafet Rudit, u ngjit në skenë për të kënduar akapella “Sancta Maria” të Gjergj Danush Lapacajt dhe “Korale” të Jan Kukuzelit. Këto vepra të shekullit XIII erdhën si paralajmërim për lashtësinë e kulturës shqiptare.
“Paraqitja dinjitoze dhe profesionale e Korit të Filarmonisë me dirigjent Rafet Rudin u realizua përmes interpretimit të muzikës vokale të shekullit XIII të autorëve të hershëm shqiptarë Jan Kukuzeli dhe Gjergj Danush Lapacaj”, ka thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari. Këtë koncert ai e ka vlerësuar arritje të madhe artistike të Filarmonisë së Kosovës. Programi i pasur artistik ngërtheu vepra vokale dhe operistike të autorëve botërorë dhe atyre shqiptarë që zgjuan ovacione tek publiku përmes interpretimeve brilante të solistëve.
“Është e rëndësishme që ky koncert i tejkalon kufijtë e një evenimenti të rëndomtë muzikor dhe paraqet një imazh pozitiv për Kosovën dhe shqiptarët duke iu përkulur një figure humaniste siç është Nëna Terezë. Filarmonia e Kosovës së bashku me gjithë trupën artistike realizuan një koncert madhështor”, ka thënë Jashari.
Pjesa e parë e koncertit u karakterizua me performanca të fuqishme dhe duartrokitje nga të pranishmit. Sopranoja Inva Mula – e cila në vitin 1993 zuri vendin e parë në garën që organizoi tenori i famshëm Placido Domingo – u ngjit në skenë për të kënduar të famshmen “Ave Maria” të Franc Schubertit. Baritoni Gëzim Myshketa solli “Më shpëto o Zot” të Gabriel Faures. Këto performanca i paraprinë një pjese të programit që përfshinte edhe recitime. I pari për të recituar në skenë u ngjit aktori i ri Andi Bajgora. Njëjtë sikur ai ka bërë edhe aktori tjetër Lumë Veseli, të cilët si protagonistë të filmit të shkurtër “Shok” shënuan moment historik për Kosovën, me nominimin e parë për çmimin “Oscar” dhe parakalim në tapetin e kuq të ceremonisë prestigjioze. Të dy recituan poezi të Nënë Terezës.
Sipas Jasharit, sensacion i mbrëmjes ishte ylli Rita Ora.
“Reflektim i veçantë ishte paraqitja e pop yllit kosovar Rita Ora, e cila shkëlqeu dhe ngazëlleu publikun e shumtë (rreth 5000 persona) në Bazilikën papale të Shën Palit në Romë”, ka thënë Jashari.
Ora në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook” pas koncertit ka shkruar se është ndier e privilegjuar të jetë pjesë e një ngjarjeje të tillë, duke marrë parasysh edhe faktin se ajo vitin e kaluar u emërua Ambasadore Nderi e Kosovës nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.
“Jam e nderuar që isha e ftuar për të përmbushur rolin e ambasadores së Kosovës, duke kënduar për kanunizimin e Nënë Terezës. Këndimi i ‘What Child Is This’ për të festuar jetën dhe trashëgiminë e saj do të jetë momenti të cilin do ta mbaj në mend përgjithmonë”, ka shkruar Ora.
“Vula” me himnin për Nënë Terezën
Të shtunën mbrëma në Romë, jo vetëm se u fol shqip, por edhe u prezantuan vepra të kompozitorëve shqiptarë. Ashtu siç u hap me kryevepra, koncerti edhe u mbyll njësoj. Solistët sollën emocione, dramë dhe dëshmuan veten në sytë e tërë botës.
Para se Rita Ora të ngjitej në skenë, publiku shijoi performanca të larta artistikisht. Me duartrokitje dhe “bravo” ata falënderuan yjet shqiptarë. Sopranoja e njohur Ermonela Jaho, bashkë me orkestrën, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj, solli “Io son L’umile ancella” të Francesco Cileas. “Bravo” të shumta përcollën performancën e saj të mrekullueshme, përmes së cilës Jaho shpalosi aftësitë e saj vokale. Herën e dytë kur u ngjit në skenë, publikut i dhuroi edhe dramën.
“Lutje” nga opera Maria Stuarda e Gaetano Donizettit e riktheu në skenë për të sjellë këtë arie të operës tragjike që është e ndarë në dy akte. Emocione, dramë dhe vokal i shkëlqyeshëm e përcollën këtë performancë. “Fantazi argjentinase”, dedikuar Papa Françeskut, nën interpretimin e Genc Tukiçit në piano, erdhi fill pas performancës së Jahos. Kjo vepër, e cila niset me adagio, arrin kulmin, kthehet në marsh dhe përfundon me kambana. Pjesa e dytë u hap me poezi. Dom Lush Gjergji solli “O Zoti im”, poezinë e Nënë Terezës që i lutet Zotit për mëshirë. Sikur për të vazhduar atë që Dom Lush Gjergji solli në skenë, erdhi performanca e radhës.
“Hej ju male”, kënga epike e Çesk Zadesë, u këndua nga Gëzim Myshketa. Pjesa e dytë e karakterizuar me vepra shqiptare solli edhe interpretimin e mrekullueshëm të një prej violinistëve më të njohur shqiptar, Shkëlzen Doli. Ai interpretoi veprën “Arbëreshe” të përpunuar për violinë dhe orkestruar nga Gerti Druga. E tenori Ramë Lahaj – i cili para pak javësh zuri vendin e tretë në garën operistike që organizon Placido Domingo – shkëlqeu me “Agimet shqiptare” të Avni Mulës. Aftësitë e veta vokale ai i dëshmoi paraprakisht edhe me “Panis Angelicus” të Cesar Franck. Kësaj nate iu shtua rëndësia edhe me interpretimin e dy kohëve të veprës së kompozitorit anglez, Karl Jenkins, “Armed Man:Mass for Peace”, që iu kushtohet viktimave të luftës në Kosovë. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, kori bashkë me orkestrën sollën kohën e pestë “Sanctus” dhe të trembëdhjetën e “Better is Peace”. Është hera e dytë që Filarmonia e Kosovës e interpreton këtë vepër. Vitin e kaluar u dha premiera kosovare. Premierë pati edhe në Romë. Ishte vepra e kompozitorit të ri Kreshnik Aliçkaj.
Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi, soliste e “Deutsche Oper Berlin”, interpretoi veprën e tij, të titulluar “Nënë Tereza”, me poezi të Remzi Limanit. Kajtazi vetëm se ia shtoi hijeshinë dhe rëndësinë kësaj vepre. Gjatë mbrëmjes ajo u paraqit edhe me një performancë tjetër. Interpretoi arien “Virgjëresha e engjëjve” nga opera “Fuqia e fatit” e kompozitorit Guiseppe Verdi. E fundi i koncertit solli një prej veprave më të rëndësishme të mbrëmjes.
Dijana Toska,producente dhe koordinatore e ekipit shqiptar në Romë, në bashkëpunim me organizatën “Drita” nga Ipeshkvia e Kosovës, u ngjit në skenë për të prezantuar veprën e Genc Tukiçit, “Valsin hyjnor -Hymnin për Nënë Terezën”, që bazohet mbi një motiv të kompozitorit Lorenc Antoni, me poezi të Gonxhe Bojaxhiut.
“Jemi në natën e shenjtërimit të Nënës Terezë. Dymbëdhjetë orë na ndajnë nga ceremonia e shenjtërimit të saj. Ne do ta bëjmë shenjtërimin e saj me poezinë që e shkroi në moshën 18-vjeçare, kur ajo mori rrugën për në Kalkutë dhe i tha lamtumirë vendit të saj”, ka thënë Toska.
“Poezinë e zbuloi dom Lush Gjergji dhe më pas e ftoi Lorenc Antonin që ta bëjë orkestrimin e saj. Genc Tukiçi dhe Bujar Llapaj më 19 korrik u mblodhëm në Tiranë dhe e incizuam. Më 5 shtator përuruam këtë himn. Atëherë ishte prologu, e epilogu do të ishte arritja këtu”, ka shtuar ajo. Sihana Badivuku në violinë me Blerim Grubin në violë, përcollën sopranon Inva Mula. Llapaj për herë të fundit u ngjit në skenë për të drejtuar orkestrën drejt finales madhështore të një prej mbrëmjeve më të rëndësishme për popullin shqiptar.
“Valsi hyjnor- Hymn për Nënë Terezën” mblodhi në skenë yjet shqiptarë, dhe në këtë formë përmbylli një prej ngjarjeve më të rëndësishme që i parapriu shenjtërimit të Nënë Terezës, që u bë nga Papa Françesku në Vatikan. E diela mblodhi me mijëra njerëz nga mbarë bota, të cilët ndoqën ceremoninë dhe momentin historik të kanonizmit të Gonxhe Bojaxhiut, apo Shën Terezës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img