24.7 C
Pristina
Tuesday, June 18, 2024

Buy now

spot_img

Fati i personave të zhdukur, nën hijen e tensioneve në veri

Pavarësisht marrëveshjes nuk ka pasur përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sipas kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, Deklarata për Personat e Zhdukur, e miratuar nga dy vendet ka mbetur vetëm në letër, pasi Beogradi vazhdon të refuzojë bashkëpunimin për këtë çështje. E kjo qasje e Serbisë sipas Hotit, nuk është duke u vërejtur nga Bashkimi Evropian, pas trazirave në veri të vendit.

Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hotit, ka mbetur vetëm në letër.

Hoti thekson se asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Serbia.

Ka treguar se dy takime janë anuluar nga pala serbe, e nuk është arritur as të formohet komisioni i përbashkët, që ishte e paraparë të bëhej 40 ditë pas deklaratës.

E refuzimi i Serbisë për ta respektuar deklaratën, sipas Hotit, nuk është duke u vërejtur nga Bashkimi Evropian, pas trazirave në veri të vendit.

“BE-ja do të duhej ta kushtëzojë Serbinë dhe jo të bëjë presion më sepse vet Serbia, bashkë me Kosovën, e kanë miratuar një deklaratë, vet Serbia e ka miratuar edhe aneksin e Ohrit të këtij viti, dhe aty thuhet çështja e vetme që është me urgjencë është çështja e personave të zhdukur, asnjë tjetër nuk shkruan që është me urgjencë, vetëm çështja e personave të zhdukur. Dhe nëse ne nuk fillojmë të zbatojmë çështjen e personave të zhdukur nuk e di çfarë kuptimi ka të diskutohet edhe dialogu edhe çdo gjë tjetër… Jo që nuk doli të jetë me urgjencë por filluan u morën me çështje të tjera, që nuk janë në fushën time, çështje politike, e harruan me një formë çështjen e personave të zhdukur, por puna jonë, detyra jonë është në vazhdimësi të bëjmë presion, në vazhdimësi të kërkojmë, dhe aq është edhe fuqia jonë, po mendoj edhe ndaj BE-së edhe ndaj Serbisë”, ka thënë Hoti.

Pavarësisht refuzimit të Serbisë për të bashkëpunuar, ekipet në terren në Kosovë kanë vazhduar gërmimet në lokacione të ndryshme.

Sipas Kushtrim Garës, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në fund të këtij muajit pritet të fillojnë gërmimet edhe në dy lokacione të reja.

“Ne besojmë që tani në fund të verës siç ka qenë e planifikuar edhe më parë, do të jemi të angazhuar në një lokacion në regjionin e Gjakovës, përkatësisht në fshatin Bishtazhin, e po ashtu në një lokacion besoj në Komunë të Skenderajt. Në rastin e Bishtazhinit jemi duke folur për një lokacion që është përdorur si hapësirë, si varrezë masive e jashtëligjshme nga forcat serbe për të groposur, varrosur viktimat të disa masakrave në Komunën e Gjakovës”, ka deklaruar Gara.

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Deklaratën e 2 majit, është theksuar se shtetet obligohen t’u japin qasje të plotë palëve në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Por arkivat e Ushtrisë dhe Policisë serbe deri më tani, kanë mbetur “të paprekshme”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img