14.1 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Buy now

spot_img

Escobar: Marrëveshja, në çdo aspekt është ligjërisht e obligueshme

I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas pajtueshmërisë për aneksin e implementimit të marrëveshjes, ka komentuar edhe pritjet e ShBA-ve që të dy palët t’u përmbahen obligimeve në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Përkundër asaj çka u përceptua në publik, si dhe vetë asaj që kryeministri Kurti ia kërkoi ShBA-ve dhe BE-së, Escobar tha se kjo marrëveshje, në fakt, është ligjërisht e obligueshme.

“Kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme për të dyja palët dhe të dyja palët do të gjykohen nga performanca e tyre sipas marrëveshjes. Dhe kjo marrëveshje do të vazhdojë të jetë baza e politikës sonë në Shtetet e Bashkuara teksa ecim tutje, si dhe bazë për angazhimin evropian në rajon”, ka deklaruar Escobar në një konferencë për media.

Sipas Escobarit, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme në çdo aspekt, kjo pasi mes të dy liderëve u arrit pajtueshmëri në përmbushjen e pikave të parapara sipas propozimit evropian.

“Pra është ligjërisht e obligueshme në çdo aspekt. Zëvendëspresidenti Borrell e bëri shumë të qartë në deklaratën e tij për shtyp se kemi arritur përputhje mendimesh [prej të dy liderëve], kemi një angazhim dhe tani kemi detyrime nga të dyja palët. Dhe të dyja palët do të gjykohen në rrugët e tyre përkatëse evropiane nga pajtueshmëria e tyre me atë që është rënë dakord”, tha tutje.

Për emisarin amerikan, fakti që marrëveshja nuk u nënshkrua nuk është problematike. Ai tha se çështja kryesore nuk ishte nënshkrimi, ishte obligimi për t’i përmbushur kriteret.

“Pra, nënshkrimi nuk ishte problemi; ishte obligimi, gjë kjo e cila u përqafua lirshëm nga të dy vendet. Dhe përsëri, mirëkuptimi, mirëkuptimi i qartë nga të dyja palët, se çfarë pritej dhe çfarë do të merrte secila palë. Pra është një marrëveshje në çdo aspekt”, deklaroi emisari Gabriel Escobar.

Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, por se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin.

Kurti ka thënë se i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img