13.8 C
Pristina
Saturday, November 9, 2024

Buy now

spot_img

Çollaku: Është koha e fundit të merret vendim për demarkacionin

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kushti kryesor që qytetarët e Kosovës të fitojnë të drejtën për të lëvizur lirshëm në shtetet e zonës Shëngen.
Për t’i prirë kësaj, të mërkurën do të mbahet një tryezë në të cilën do të marrin pjesë ekspertë vendor e ndërkombëtarë, deputetë, politikanë e shumë personalitete tjera me ndikim, për të shpalosur qëndrimet e tyre rreth demarkacionit.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku në një intervistë për Indeksonline ka theksuar se që nga muaji maj kur është dhënë rekomandimi për liberalizimin e vizave, procesi ka vazhduar sipas dinamikës së paraparë kohore dhe procedurale nga ana e Institucioneve të BE-së.
Sipas tij, rekomandimi i Komisionit Evropian është duke u shqyrtuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, duke përgatitur procesin për vendimmarrje e cila pritet të ndodh pas pushimeve të verës, por jo para se të përmbushim obligimin e fundit të mbetur në proces, përkatësisht ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
I pyetur se sa janë gjasat që tetorit të jetë muaji përfundimtar që qytetarët të lëvizin lirshëm, Çollaku ka theksuar se mbetet të shihet ditëve në vijim, ndonëse gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.
“Tanimë është konfirmuar se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të  jetë në agjendë të Komisionit Parlamentar për të Drejta Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian me datë 5 shtator dhe pastaj në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Paralelisht me këtë proces, pritet që edhe në Këshillin e BE-se vendimi të merret sipas procedurave dhe dinamikës së paraparë. Ne anën tjetër, përderisa vazhdojnë me procedura te brendshme te vendimmarrjes, BE-ja pret nga Kosova te ratifikoj marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka theksuar Çollaku.
Sipas tij, bazuar në dinamikën e deritanishme të procesit të vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së, konsideroj se javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për të përmbyllur këtë proces.
“Mirëpo, duhet të nënvizoj faktin se po flasim për një vendim që nuk varet tërësisht nga ne, për më tepër është vendim në përgjegjësi të Institucioneve dhe shteteve anëtare të  BE-së, prandaj është shumë e vështirë të përcaktohen afatet kohore, por me rëndësi është që gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur”, ka thënë tutje ministri Çollaku.
Duke folur për tryezën e demarkacionit më 3 gusht, ai ka vlerësuar se nga kjo tryezë pret diskutim të hapur me argumente e fakte që ndihmojnë në qartësimin e kësaj situate.
“Pres diskutim të hapur, përmbajtjesor dhe parimor mbi bazën e argumenteve dhe fakteve të cilat do të ofrojnë qartësi për procesin, duke mundësuar pastaj vendimmarrje në Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me interesat shtetërore”, është shprehur Çollaku.
E nëse marrëveshja dështon të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, sipas Çollakut, Kosova do të humbas mundësinë që qytetarët të lëvizin lirshëm shumë shpejt. Sipas tij, vendimi për këtë është në duart e institucioneve të BE-së.
“Në rast se Kuvendi i Kosovës dështon të ratifikoj këtë marrëveshje, sigurisht se do të humbim mundësinë e  lëvizjes pa viza në shtetet anëtare të zonës Schengen në të ardhmen e afërt. Vendimi për të liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës i takon Institucioneve të BE-së të cilat kanë qenë të çarta se duhet fillimisht të ratifikohet kjo marrëveshje para se të filloj lëvizja pa viza”, ka thënë ministri i Integrimeve Evropiane.
Tutje sic ka thënë ai, pavarësisht dilemave të ngritura dhe debatit që ka prodhuar ky proces, tani është koha e fundit për të marrë një vendim meritor mbi këtë çështje duke vendosur në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.
“Nuk duhet lejuar që kjo çështje e cila ka polarizuar skenën politike të vendit të reflektohet me ndarje brenda shoqërisë. Personalisht jam tërësisht i bindur se ratifikimi i kësaj marrëveshje nuk e dëmton Kosovën në aspektin territorial por përkundrazi forcon sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të saj. Dhe kur këtij fakti i shtojmë zotimin dhe thirrjen e Bashkimit Evropian se përmbushja e këtij obligimi ndërkombëtar i hap rrugë vendimit të shumëpritur por të merituar për lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës, atëherë nuk duhet të ketë hapësirë për dilema apo kalkulime politike të mëtutjeshme”, ka thënë Çollaku për Indeksonline.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img