5 C
Pristina
Thursday, December 12, 2024

Buy now

spot_img

Bashkëluftëtarët nuk ia falin presidentit Thaçi: Vizita tek memorialet e serbëve fyerje për luftën e UÇK-së (Video)

Homazhet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tek memoriali i serbëve, të cilët janë vrarë duke kryer krime ndaj shqiptarëve, dhunuar mbi 20.000 femra dhe duke luftuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është cilësuar si turp, fyerje, ofendim dhe jonormale për popullsinë e Kosovës, të cilët me shekuj luftuan për çlirimin e vendit.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë për KosovaPress se vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tek varrezat e serbëve të vrarë është fyerje për shqiptarët dhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët luftuan për çlirimin e vendit.
“Ne e shohim si një veprim të gabuar për shumë arsye, sepse ne nuk e dimë qëllimin e tij se pse po i bënë këto vizita, për qëllimet e tij personale apo për diçka tjetër, apo nga kush është i shtyrë t’i bëjë këto vizita. Mirëpo, ne po e shohim si një veprim të gabuar, sepse në njëfarë forme po i ofendon të gjitha ato viktima civile shqiptare dhe po na ofendon neve si ushtarë të UÇK-së, dhe gjithë dëshmorët e kombit duke e parë se këto vizita po bëhen në vendet ku pikërisht janë serbët që kanë bërë krime, gjenocid dhe kanë plaçkitë këtë popull, e kanë dëmtuar këtë popull. Këto pllaka ku shihet mbishkrimi ku thotë se janë vrarë nga terroristët shqiptarë, njëfarë lloj argumenti po i jep vet presidenti i shtetit se momentin kur përkulet para tyre se shqiptarët paskan qenë kryes i tyre”, ka thënë ai.

Qeriqi ka deklaruar se kjo vizitë është edhe më e turpshme për faktin se Thaçi asnjëherë nuk ka gjetur kohë t’i vizitojë dy dëshmorët, të cilët e kanë humbur jetën në betejën e 14 dhjetorit 1998.
“Janë vende të dyshimta, mund të jenë dhe jam shumë i bindur që këto janë vet skenarët e Serbisë njëjtë me rastin ‘Panda’, e cila ka ndodhur në kohën e luftës në momentin kur ne e kemi pas një betejë në atë kohë, ka qenë 14 dhjetor i vitit ‘98 dhe në atë betejë unë i kam humbur dy bashkëluftëtarët e mi, ku jam plagosur edhe vet. Ata bashkëluftëtarë kanë qenë edhe të presidentit të Kosovë i cili në asnjë moment nuk ka gjet kohë ta vizitoj atë vend. Pra, kjo është e turpshme nga presidenti i Republikës së Kosovës të bëjë vizita serbët kur dyshohet se mund të jenë vet ata serbë të cilët kanë kryer krime në popullatën shqiptare të Kosovës”, u shpreh ai.
Edhe sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kjo vizitë përveç që është jonormale, është edhe e dëmshme për vendin.
“Vizitën e presidentit Thaçi nëpër këto varreza e konsiderojmë që është, përveç që është jonormale, është e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit tonë për arsye se në ato pllaka ku ai i viziton së pari nuk dihet se kush i ka vrarë ata njerëz sepse serbët kanë qenë gjithmonë të parapërgatitur që vrasjet t’i bëjnë edhe vet siç është rasti ‘Panda’ në Pejë, shembull që i kanë bërë vrasjet vet, e para. Dhe, e dyta duke e ditur që në ato pllaka shkruan që këta njerëz janë vrarë nga terroristët shqiptarë dhe agresioni i NATO-së në kohën kur ky vet ka thënë që Serbinë do ta akuzojmë për gjenocid. Le që është e paarsyeshme por për mendimin tonë është edhe e turpshme dhe nuk është mbet asgjë tjetër veç t’i themi edhe kërkojë falje Serbisë që luftën e kemi bërë kundër saj dhe i kemi vrarë disa njerëz”, është shprehur ai.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se kushdo që i viziton dhe i nderon serbët e vrarë në Kosovë e ka gabim, pasi në Kosovë, UÇK ka qenë ajo që ka bërë luftë të pastër për çlirimin e vendit, derisa serbët kanë qenë ata të cilët kanë tentuar ta pushtojnë dhe ta mbajnë të robëruar këtë vend.
“Dëshmorët e këtij vendi janë ata që kanë bërë luftë të drejtë e të pastër dhe ata pjesëtarë të UÇK-së që janë radhitë në radhët e UÇK-së. Unë mendoj që ne kemi bërë luftë të drejtë dhe luftë çlirimtare, kurse, ata që janë ardhë me pushtuar këtë vend, me mbajt të robëruar këtë vend që janë ushtria e policia serbe dhe shteti serb. Mendoj se ata nuk iu takon që të çmohen si dëshmorë, derisa, dihet se cili ka qenë qëllimi dhe lufta e tyre. Megjithatë, mendoj se në qoftë se janë në një periudhë kur është bërë lufta e UÇK-së, të cilët e kanë bërë luftën çlirimtare, ndërsa, serbët janë ata që kanë insistuar ta pushtojnë, ta mbajnë të robëruar këtë vend dhe në këtë rast presidenti Hashim Thaçi, i cili duhet të dijë se kush ka bërë luftë e kush ka qenë pushtues dhe kush ka bërë luftë çlirimtare, presidenti duhet ta dijë shumë mirë se ka qenë edhe pjesë e luftës çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Presidenti Hashim Thaçi, para disa ditëve ishte në vizitë tek memoriali i 14 serbëve të vrarë në fshatin Grackë të Lipjanit, prej ku ka thënë se “Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img