11 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Buy now

spot_img

Avokati i Popullit adreson problemet e qytetarëve në Prishtinë, Rama: Kemi nisur zgjidhjen

Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti sot në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ndaj të cilit adresoi disa probleme, me të cilat po përballen qytetarët e Prishtinës, që sipas tij, po të zgjidheshin do të  përmirësonin  mirëqenien e qytetarëve. Ndërsa, i pari i Prishtinës, Përparim Rama iu përgjigj këtij adresimi, duke thënë se veçse kanë filluar zgjidhjet për problemet e cekura.

Qelaj u shpreh se mungesa e qasjes për persona me aftësi të kufizuar, gjendja e trotuareve, prania e qenve endacakë, ndryshimi i rregullores për taksa në pronë, situata me kontaminimin e ujit në fshatin Marec, rritja e stafit në qendrat për punë sociale, legalizimi i objekteve pa leje, janë disa nga problemet që ia vështirësojnë jetesën qytetarëve të kryeqytetit.

Sipas tij, problemet e cekura më lart kërkojnë zgjidhje, në mënyrë që të përmirësohet jetesa e qytetareve.

Tutje, Qelaj u shpreh se kanë  pranuar shumë ankesa që lidhen me gjendjen e trotuareve, që sipas tij i përket qasjes te personat me aftësi të kufizuar, por edhe për qytetarët e tjerë, duke potencuar se nga hulumtimet kanë parë se ka probleme teknike dhe pengesa në qasje.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kanë filluar të bëjnë zgjidhje për problemet e cekura nga Qelaj, duke filluar nga mosdhënia e lejeve për ndërtim të kompanive, që nuk kanë plan qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Sipas tij, kanë filluar ndryshimet në ndërtesa institucionale për t’u krijuar qasje më të lehtë kësaj kategorie të personave.

Tutje, Rama foli edhe për zgjidhjen e  problemit me qentë endacakë, ku theksoi se krahas subvencionimit me 50 euro për adoptuesit, ka ndarë mbi një milion e gjysmë investim, që sipas tij është 20 fishi i qeverive të kaluara.

Ndërkaq, lidhur me problemin me kontaminimin e ujit në fshatin Marec, i pari i kryeqytetit tha se operatorët ekonomik po merren me këtë çështje dhe do të mundohen që sa më shpejtë t’i ofrojë zgjidhje këtij fshati.

I pyetur se çfarë planesh ka komuna pas ngjarjeve të fundit, që kanë të bëjnë me sigurinë publike, Rama u shpreh se ka zhvilluar takime me drejtorin e Policisë, kryeprokurorin dhe gjykatën, duke theksuar se si mundet një person me mbi 50 padi të endet i lirë. Tutje, Rama tha se ka marrë informacion nga drejtori i Policisë se pas orës 00:00 çdo i dyti ose i treti automobil që sillet është i armatosur ose me armë zjarri apo edhe me armë të ftohta. /KP/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img