10.8 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Buy now

spot_img

Arianit Ahmeti paralajmëron klubet: Agim Ademi është pengesë për licencim, mund të bankrotoni

Ish-zëvendës/sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Arianit Ahmeti, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me arrestimin e kryetarit të FFK’së, Agim Ademi. Sipas Ahmetit, klubet kosovare duhet të veprojnë sa më shpejt dhe të thërrasin Kuvend të jashtëzakonshëm për arsye të rrezikimit të mos licencimit nga ana e Komisionit për Licencim të federatave sportive në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Arrestimi i Agim Ademit ‘turbulloi ujërat’ në opinionin futbolldashës në Kosovë, dhe jo vetëm. Ai po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për dy vepra penale, ‘keqpërdorim i besimit’ dhe ‘shmangie nga tatimi’.

Siç u tha të enjten në raportin e policisë i njëjti dyshohet se veprat e lartcekura i ka kryer duke keqpërdorur buxhetin e FFK’së.

Arianit Ahmeti thotë se shtëpia e futbollit kosovar nën udhëheqjen e Agim Ademit e ka humbur kredibilitetin që e kishte pasur. Ai mendon se lajmi për arrestimin e tij ka qenë më i keqi në mesin e shumë lajmeve skandaloze.

”Federata e Futbollit e Kosovës tash e një kohë të gjatë është temë në të gjitha mediumet e vendit, fatkeqësisht jo për rezultate sportive, të arritura në fushën e futbollit, por për lajme të fushës korruptive, keqpërdorime, evazion fiskal, e çka jo tjetër.”

”Kjo që ndodhi dje me kreun e FFK’së është për keqardhje dhe reflektim i gjithë punës të cilën e bëri ky njeri nga marrja e postit të FFK’së. FFK ka humbur kredibilitetin që e kishte, ka humbur entuziazmin sportiv, ka humbur krejt shkëlqimin dhe krenarinë që e kishte në gjithë popullatën e Kosovës e më gjerë. Ky është lajmi më i keq në vazhdën e shumë lajmeve skandaloze që ishin rreth këtij njeriu,” tha ai.

Tash e një kohë të gjatë FFK nuk po mund të licencohet nga Komisioni për licencim. Një nga arsyet kryesore kishte qenë fakti që Agim Ademi ishte nën hetime për veprën penale ‘detyrim në bashkëkryerje’, për të cilën javën e kaluar u shpall i pafajshëm. Por, tani u shfaq një tjetër.

Mos licencimin e FFK’së më së shumti po e vuajnë skuadrat kosovare pasi që nuk po mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit. Siç po përflitet ato veçse kanë filluar ta ndjejnë këtë dhe po kanë telashe financiare.

Ahmeti beson se zgjidhja e vetme do të ishte që ato të mblidhen dhe ta gjejnë njeriun e duhur i cili përfaqëson unitetin e përgjithshëm, të thirrin Kuvend të jashtëzakonshëm dhe pastaj së bashku t’i plotësojnë rekomandimet e Komisionit, ndër to edhe Statutin e miratuar me 27 janar të këtij viti.

”Sipas meje ky njeri tash e një kohë është e keqja më e madhe që i ka ndodhur futbollit të Kosovës, ky nuk ka nevojë të jap dorëheqje sepse ky nuk përfaqëson asgjë në fushën e futbollit. FFK le që është temë në fushën korruptive nëpër media, po tani pikërisht ky njeri i rrezikon seriozisht klubet edhe të shuhet krejt dhe të shkojnë drejt bankrotimit, duke qenë pengesë tash e një kohë të gjatë për moslicencim, ndërsa viti fiskal përfundon me 31.03.2023 të gjitha sponsorizimet e vitit 2022 veçse kanë humbur.”

”Klubet dhe federata tani do t’i nënshtrohen procedurave përmbarimore, gjyqësore lidhur me ndërmarrjet të cilat veçse i kanë derdhur mjetet e tyre tani nuk munden të pajisen me vërtetime nga MKRS për lirimin nga tatimi në fitim. Klubet duhet urgjent të mblidhen të gjejnë njeriun e duhur i cili përfaqëson unitetin e përgjithshëm, të thirrin një Kuvend të jashtëzakonshëm, t’i plotësojnë rekomandimet e Komisionit për licencim, ta përmirësojnë Statutin e miratuar në Kuvendin e fundit, ta zgjedhin njeriun e duhur i cili duhet të punojë me klube, MKRS, Komisionin e Licencimit të shpëtohet aq sa mundet në këto pak ditë sa kanë mbetur, me qëllimin e mos rrezikimit të bankrotimit të pothuajse gjysmës së klubeve anëtare të FFK’së,” përfundoi Ahmeti.

Kujtojmë se Komisioni për licencim gjatë procesit për të licencuar FFK’në i kishte kërkuar Agim Ademit ta pezullojë pozitën e tij, ose të pezullohet nga Komiteti Ekzekutiv i FFK’së. Si kryetari ashtu edhe Komiteti kishin heshtur.

Në shkresën e dërguar në drejtim të FFK’së thuhej se Komisioni përmes rrugëve zyrtare e ka vërtetuar që Ademi është në proces gjyqësor dhe se si rezultat i kësaj FFK nuk mund të licencohet, pasi kjo do të binte ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, me statutin e FFK’së dhe me kodin etik të FIFA, të cilin FFK është i obliguar me statut dhe ligje të Kosovës e UEFA’s dhe FIFA’s ta respektojë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img