23.6 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Buy now

spot_img

A e dështoi LDK-ja themelimin e Forcave të Armatosura? (Video)

Dikur Lidhja Demokratike e Kosovës hezitonte të votonte pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, nga frika se po përfitonte politikisht partneri i tashëm i tyre, PDK-ja. Kurse, tani, duan të dyja palët, por nuk ekziston gatishmëria e subjekteve politike minoritare.
Ky ishte fati i Forcave të Armatosura të Kosovës, themelimi i të cilave ka mbetur tashmë një projekt me shumë të panjohura përpara.
Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ishte peng i mosarritjes së marrëveshjes mes grupeve parlamentare shumicë në legjislaturën e kaluar derisa nuk paraqisnin problem minoritetet.
Ndonëse ishte kohë parafushate, Qeveria e Kosovës e kishte marrë vendimin për themelimin e saj, por nuk ishte votuar në Kuvendin e Kosovës.
LDK-ja si opozitë, asokohe frikësohej se votimi pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës në prag të zgjedhjeve të parakohshme, do të çonte vota në adresë të Thaçit dhe të PDK-së, i cili e kishte marrë vendimin si kryeministër.
Kurse, përfaqësuesit e komunitetit serb, sado që votimin e tyre e ndërlidhnin me zgjatjen e mandatit për vendet e rezervuara në Kuvend, ata kishin shprehur gatishmërinë e tyre asokohe për të votuar pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Tani situata është më ndryshe.
Partneri i mëvonshëm i LDK-së, Hashim Thaçi, kishte paralajmëruar më herët për rreziqet dhe vështirësitë.
“Nëse në ditët e ardhshme nuk ndodh votimi në Kuvendin e Kosovës, Kosova po rrezikon formimin e Forcës së Armatosur me vite të tëra, prandaj këtë shans historik nuk guxojmë ta humbim për asnjë interes të ngushtë politik”, kishte thënë asokohe Thaçi.
Ndërsa, për LDK-në kjo çështje nuk ishte aspak me urgjencë dhe këtë gjë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, e thoshte hapur.
“Ne mendojmë që kjo është një fushatë politike elektorale e Thaçit dhe FSK-ja, gjegjësisht kjo çështje nuk është e një urgjence të tillë dhe qëllimi është shumë i qartë, që është më shumë, për mendimin tonë, elektoral”, kishte thënë Ismet Beqiri.
Para disa javëve, vetë kryeministri Isa Mustafa e kishte pranuar se s’po mundet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për shumicën sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura.
Fajtor për këtë i kishte lënë pakicat, duke aluduar në Listën Srpska.
Kurse, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në raportimin e së martës para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë se që nga miratimi i Ligjit për Forcën e Armatosur të Kosovës, Ministrisë së FSK-së i duhen 10 vjet tranzicion për të përfunduar procesin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. /Gazeta Fjala/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img