10.5 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Buy now

spot_img

A do të merren vesh Kosova e Serbia për “trashëgiminë e së kaluarës”

Në hyrje të propozimit evropian, thuhet se Kosova dhe Serbia janë përkushtuar për ta kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës. Sipas Drejtorit ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj  kuptimi i kësaj sintagme është që e kaluara të mos mbetet çështje e hapur në mënyrë që të mos ketë pasoja për të ardhmen. Për luftën e fundit në Kosovë, Qeveria e tanishme ka marrë nisma për ngritjen e një padie ndaj Serbisë dhe krijimin e Institutit për Krime Lufte – padia nuk është ngritur e për institutin nuk ka informacione se deri ku kanë shkuar procedurat.

 

Më 18 mars, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Ohër, ku do të diskutojnë mbi zbatimin e propozimit evropian.

Në fillim të këtij propozimi, thuhet se palët janë “përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”.

Për këtë fjali drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka një sqarim.

“Mendoj se ka të bëjë më shumë me formulimin e fjalës dhe në këtë rast “kapërcimi i trashëgimisë së kaluarën (overcoming the past)” për mua ka kuptimin se palët do të ndërmarrin veprime për ta trajtuar të kaluarën në mënyrë që të zgjidhen çështjet nga e kaluara. Pra, e kaluara të mos mbetet çështje e kapur e cila ka pasoja për të ardhmen”, shpjegoi Blakaj.

Në rast të arritjes së një marrëveshje finale, Blakaj thotë se në të duhet të përfshihen edhe temat që e trajtojnë të kaluarën.

“Palët duhet ta hartojnë edhe një plan veprimi i cili rregullon në mënyrë precize veprimet që duhet të ndërmarrin për ta trajtuar të kaluarën. Aty duhet të përfshihen veprimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, të vendoset bashkëpunimi për gjykimin e përgjegjësve për krime të luftës, të krijohet një mekanizëm për reparacione ndaj viktimave dhe çështje tjera”, tha Blakaj.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë, veç premtim i Kurtit

Ndonëse janë bërë gati dy vite që prej kur kryeministri Kurti premtoi ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë, ende nuk ka ndonjë veprim konkret për këtë.

Lidhur me këtë çështje ka folur Blakaj.

“Edhe në të kaluarën përfaqësues më të lartë të shtetit kishin paralajmëruar një padi për gjenocid ndaj Serbisë, dhe këtë e kanë bërë edhe përfaqësuesit aktual të vendit. Megjithatë, deri më tani  Kosova nuk ka bërë asnjë hap serioz për ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë. Tani, çerek shekulli pas përfundimit të luftës është edhe më e vështirë që të mblidhen provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Shumë prova mund të jenë humbur përgjithmonë ndërsa dëshmitarët po ndërrojnë jetë”, tha ai.

Ndërkaq dje, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tregoi se a mundet Kosova ta ngrisë një padi që është e argumentueshme juridikisht.

“Meritat e një rasti për gjenocid kundër Serbisë, ndoshta edhe do të mund të ndërtoheshin. E them ndoshta për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë dhe provat që kanë relevancë juridike janë komprometuar në pjesën më të madhe nga njerëz të papërgjegjshëm duke i reprodukuar nëpër libra të shkruara për qëllime propagandistike dhe për përfitime personale komerciale”, tha Hasani .

Premtimin e Kurtit për padi, Hasani e quajti “fiktiv dhe joserioz”.

Instituti për Krime Lufte

Më 13 maj të vitit 2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është formuar Grupi Punues për formimin e institutit të ri për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky projektligj është miratuar, ndërsa për detaje tjera, Ministria e Drejtësisë nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express.

Sa i përket kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021 tha se ky institut do ta ketë linjën e vet buxhetore, derisa tha se “nuk e kanë luksin të gabojnë kësaj radhe”.

“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, tha Kurti në qershor të vitit 2021.

Një përpjekje për dokumentimin e luftës së fundit në Kosovë ishte bërë edhe në vitin 2011. Qeveria e atëhershme kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Mirëpo, në vitin 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj kishte vendosur që ky institut të shuhet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, derisa 76 për qind e tyre besohet se kanë qenë civilë. Ndërkaq, edhe më tej është duke u hulumuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img