5 C
Pristina
Wednesday, December 11, 2024

Buy now

spot_img

89 mijë dollarë për konservimin e Bibliotekës Kombëtare

Fondacioni Kosovar i Arkitekturës ka njoftuar se është njëri nga 9 përfituesit e grantit prestigjioz të Getty Foundation “Keeping it Modern” për projektin e konservimit të Bibliotekës Kombëtare të projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic.

Për grantin ‘Keeping it Modern’, sivjet Getty ndau gjithsej 1.3 milionë dollarë për 9 projekte të rëndësisë së veçantë të arkitekturës moderne. KAF është fituesi i parë i këtij projekti nga Ballkani, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net

“Komisioni i Getty-t i përbërë nga arkitekt dhe konservues të mirënjohur botëror, ka vlerësuar projektin e Bibliotekës si të rrallë në gërshetimin e influencave të ndryshme të rajonit dhe me rëndësi të veçantë për arkitekturën moderne Evropiane”, thuhet në njoftimin e KAF.

Në mesin e përfituesve të sivjetmë të grantit është edhe shtëpia e Vidro’s e projektuar nga Lina Bo Bardi, Katedralja metropolitane e Liverpulit si dhe Libraria e fëmijëve e projektuar nga Nickson dhe Borys në Gana.

Për BKK-në janë dhënë 89 mijë dollarë.

Më poshtë mund ta lexoni përshkrimin e Getty-t për Bibliotekën monumentale në Prishtinë:

Ka shumë pak ndërtesa moderne që lidhin të kaluarën me të tashmen duke gërshetuar kultura të shumta ashtu si Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë.  Duke reflektuar trashëgimitë e shumta të rajonit dhe shpirtin e veçantë kulturore vendor, arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic (lindur më 1929) u përpoq të krijojë një shprehje autentike, kombëtare, arkitektonike kur ai projektoi këtë ndërtesë në vitin 1971.

Ndërtuar me in-situ beton, dysheme mermeri dhe mure të suvatuara të bardha, dhe mbuluar nga 99 kupola akrili të tejdukshëm, biblioteka kujton ndërtesat Bizantine dhe ato të Perandorisë Otomane. Me gjithë elementet e saj të unifikuara historike, struktura është model tipik i arkitekturës moderne.  Mutnjakovic ka përdorur materiale të reja për të ngjallë frymën e arkitekturës së lashtë, në veçanti struktura e jashtme me mbështjellës nga alumini, të cilat mund të interpretohet si një rrjetë peshkimi, apo si një vello që tregon për dy besime mbizotëruese të këtë zonë.  Edhe pse pritjet kur përfundoi projekti në vitin 1982 ishin të përziera, objekti tani konsiderohet si një shembull i jashtëzakonshëm i modernizmit të vonshëm në ish-Jugosllavi dhe një hapësirë e dashur për Kosovarët.

Përderisa struktura e brendshme e ndërtesës ka pësuar dëme gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), struktura e  jashtme shpëtoi relativisht e padëmtuar. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ndërtimi ka filluar të tregojë shenjat e plakjes. Ndër më të dukshmet prej tyre është depërtimi i ujit që kërkon riparime të veçanta.

Me ndihmën e grantit të Getty-t një ekip specialistësh për mbrojtje dhe konservim do të trajtojë mungesën e njohurive rreth ndërtesës, duke studiuar dhe vlerësuar performancën e saj. Ata do të analizojnë çdo aspekt të ndërtesës, duke përfshirë dhe konsultuar arkitektin në dokumentet historike dhe njohuritë e tij personale rreth dizajnit të objektit.

Hulumtimi i tyre do të krijojë një regjistër të plotë të së kaluarës së ndërtesës dhe kushtet e tanishme si dhe do të përpilojë dokumentacionin e nevojshëm për nominimin e bibliotekës për mbrojtje të përhershme në nivel kombëtar. Me të përfunduar projekt-konservimi do të shërbejë si model për dokumentimin e ndërtesave moderne në rajon dhe do të shfaqet për publikun e gjerë me anë të një ekspozite dhe publikimi. Projekti gjithashtu do të rrisë ndërgjegjësime për ruajtjen e arkitekturës së shekullit të 20-të nëpërmjet një serie të punëtorive për studentë dhe profesionistë të rinj të fushës.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img