10.3 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Buy now

spot_img

15 modelet evropiane të Asociacionit në tryezën e Kurtit, (s)a janë të mundshme në Kosovë?

Dhjetëra modelet ekzistuese evropiane për një bashkësi komunash me shumicë serbe që Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Dialog, Miroslav Lajçak, thotë t’i ketë në tryezë, për palën serbe janë “veçse një tentim për të zbutur dhe plogështuar” Marrëveshjen e Brukselit derisa kërkojnë që formimi i saj të bëhet sipas Marrëveshjes 2013 dhe 2015.

“Asociacioni është parakusht i të gjitha parakushteve”, shprehet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit trilateral në Ohër më 18 mars, takim në të cilin pritet të prodhohet pajtim rreth Aneksit të Zbatimit të Plan-Propozimit të BE’së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak thotë se 15 modelet evropiane për Asociacion mund të jenë të dobishme për ta ndërtuar atë, dhe se asnjë prej këtyre modeleve që ia paraqet Kosovës nuk çon në “diskfunksionalizim” të shtetit të Kosovës.

“Përkundrazi, ata çojnë në transparencë më të madhe, besim më të madh mes këtyre komuniteteve. Prandaj, ne besojmë se duhet të inspirohemi nga modelet evropiane në vend se të provojmë të krijojmë diçka e cila nuk është testuar asnjëherë diku tjetër dhe që s’e dimë se si do të funksionojë”, ka thënë Lajçak ditëve të fundit në një interivstë për “KoSSev”, përcjell Insajderi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot konfirmoi se këto 15 modelet evropiane për një Asociacion i ka gjithashtu në tryezë dhe se ato po trajtohen nga këshilltarët e tij. Por, beson ai, “kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”.

“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë s’po përmendi ndonjëherë të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë, por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë ka edhe pakica”.

“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme”, ka thënë Albin Kurti.

Ndërkaq, ventrilokisti i Aleksandar Vuçiq, Millovan Drequn, është shprehur ditëve të fundit se këto 15 modele evropiane janë ofruar për t’i krijuar “rrugëdalje” Albin Kurtit, shkruan Insajderi.

“Perëndimi nuk është shumë i vendosur të dënojë politikisht Kurtin, por po sheh t’ia gjejë një rrugë dalëse. Kjo rrugëdalje sheh në propozim 15 modele në BE që mund të shërbejnë si shembull”.

“Ata duan ta plogështojnë Marrëveshjen e Brukselit, që janë pushtetet ekzekutive. Kjo do ta bënte Kurtin ta pranojë pikën për vetëqeverisje të serbëve në Kosovë. Kjo nuk është për ne e pranueshme. Asociacioni duhet të ketë pushtete ekzekutive”, ka thënë Millovan Drequn në Tv Pink, përcjell Insajderi.

Megjithatë, këto 15 modele evropiane zgjojnë sërish pyetje të mëdha. Kjo ngase modelet evropiane mund të funksionojnë fare mirë në vendet evropiane, ku shtetet fqinje nuk ia luftojnë aktivisht sovranitetin njëra-tjetrës, ndryshe nga Serbia që mohon ekzistencën, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Asociacionit nuk po mundohemi me iu shmang”, tha i dyti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ditë më parë në një intervistë në ATV.

“E para gjë është garancia e BE’së që Asociacionu nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e dyta Kosova i tregon se çfarë komptenca jo-ekzekutive do të ketë Asociacioni, dhe e treta garancioni i ShBA’së dhe BE’së që ky Asociacion nuk do të jetë kurrfarë mekanizmi që shkon përtej asaj që lejon Kushtetuta e Kosovës”.

Ishin këto “tri gjëra” që Konjufca tha se duhet t’i dimë.

“Nëse pala kundërshtare është duke menduar që për të pranuar atë Kosova do ta ndërrojë Kushtetutën, Kosova ka me dhanë kompetenca ekzekutive, se e paska obligim të një marrëveshje të mëhershme – këtë harrone”, u shpreh Konjufca.

Kështu paraqitemi më 18 mars në mars në Ohër, siguroi ai.

Se çka ndalohet “rreptësisht”, Konjufca tha se ky Asociacion nuk do të jetë bartës i tretë i pushtetit lokal “midis komunave dhe qeverisë”, shkruan Insajderi.

E një Asociaiconi i këtillë, Konjufca tha se “nuk i bën dëm kurrgjë Kosovës”.

Ky është “premtimi abstrakt”, tha Glauk Konjufca, përmes të cilit Kosova synon të merr njohen “de facto” nga Serbia, ndonëse nuk beson fare se Serbia do ta nënshkruaj atë më 18 mars.

“Në Ohër shkojmë me pozicionin tonë që marrëveshja është e konstruktuar kështu: ndodh njohja “de facto” dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit. Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson edhe dëmtohet, dhe është gabim m’u pozicioniu ashtu. Është shumë e thjeshtë”, tha ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img