Site icon PrishtinaPress

Zyrtarisht, treni nuk kalon në territorin e Kosovës (Dokument)

Treni i cili u nis mëngjesin e sotëm nga stacioni qendror hekurudhor në Beograd, është kthyer mbrapsht dhe nuk është lejuar që të kalojë në territorin e Kosovës.

Kjo është konfirmuar për Koha.net nga burime brenda Qeverisë së Kosovës.

Koha.net ka siguruar edhe një shkresë të cilën Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i ka dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në shkresë, ministri Zharku ka kërkuar nga drejtori Maxhuni që të ndalojë çdo lëvizje të trenave pa autorizim e pa licencë nga autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës.

“Jozyrtarisht jemi njoftuar për një tren i cili është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e operatori i të cilit nuk ka marrë autorizimet gjegjësisht licencat përkatëse të parapara me ligj për të operuar në Republikën e Kosovës. Ligji për hekurudhat e Kosovës me nenin 91 përcakton se “është e ndaluar të operohet me shërbime hekurudhore të shfrytëzimit të përbashkët në Kosovë pa licencat e domosdoshme, certifikata dhe autorizime””, citohet t’i ketë thënë Zharku Maxhunit në letrën e siguruar nga Koha.net.

Më tej, në shkresë theksohet: “Duke marrë parasysh nevojën për koordinim ndërincitucional, kërkojmë nga Policia e Kosovës që të mbështet autoritetet kompetente ARH dhe INFRAKOS në menaxhimin e situatave kur kemi të bëjmë me paralajmërimin e situatave për lëvizje të paautorizuar të trenave nga shteti i Serbisë në hekurudhat e Kosovës në përputhje me nenin 45 par.14 të Ligjit për Hekurudhat e Kosovës”, potencohet në shkresën që ministri Zharku i ka dërguar drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Exit mobile version