Pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga qytetarët dhe ekspertët e sektorit të energjisë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vënë në fuqi vendimin për vazhdimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky hap po kritikohet për mungesë të përgatitjes institucionale, mungesë të ofertave të qarta nga furnizuesit dhe rrezik të rritjes së çmimeve për konsumatorët që nuk janë mjaftueshëm të informuar apo të mbrojtur në tregun e ri të hapur.
Sipas ZRrE-së, liberalizimi ka për qëllim ndërtimin e një tregu të hapur dhe konkurrues, i cili do t’u mundësojë konsumatorëve të zgjedhin lirshëm furnizuesin e energjisë. Rregullatori ka ftuar të gjithë konsumatorët e kualifikuar që të përzgjedhin furnizuesin më të përshtatshëm, duke paralajmëruar se ata që nuk e bëjnë këtë do të kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), një zgjidhje e përkohshme dhe më e shtrenjtë, e cila mund të zgjasë vetëm deri në 60 ditë.