Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pohuar se “heshtja” e SHBA-së pas sulmeve të fundit ruse po e inkurajon Presidentin Vladimir Putin, pas sulmit më të madh ajror të Moskës deri më tani.
Sulmi i natës pa Rusinë të lëshonte numrin më të lartë të dronëve dhe raketave në një natë të vetme që nga fillimi i luftës.
Të paktën 12 persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulme të gjera në të gjithë Ukrainën. Sulmi erdhi një ditë pas njërit prej sulmeve më të rënda në kryeqytetin Kiev që nga fillimi i luftës.
Zelensky paralajmëroi se “brutaliteti” i Rusisë nuk mund të ndalet pa “presion të fortë mbi udhëheqjen ruse”.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se që nga ora 20:40 e së shtunës sipas kohës lokale (17:40 GMT), Rusia kishte kryer sulme duke përdorur 367 raketa të llojeve të ndryshme, mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe dronë.
Forcat ajrore thanë se kishin rrëzuar 45 raketa lundrimi dhe kishin shkatërruar 266 UAV, me shumicën e rajoneve në Ukrainë të prekura dhe goditje të regjistruara në 22 vende. Ekipet e shpëtimit po punonin në më shumë se 30 qytete dhe fshatra, tha Zelensky, ka raportuar BBC.