Site icon PrishtinaPress

Vizita e parë zyrtare në Zvicër – Çfarë deklaroi Osmani për diasporën e politikën në Kosovë 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 21 dhe 22 maj ka zhvilluar një vizitë shtetërore në Zvicër, me ftesë të Presidentes zvicerane, Karin Keller-Sutter. Kjo vizitë shënon një moment historik, pasi është hera e parë që një President i Kosovës realizon një vizitë të tillë në këtë shtet, shkruan Gazeta Sinjali.

Osmani u prit me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake në sheshin qendror Bundesplatz në Bernë, ku zhvilloi takime me Presidenten Keller-Sutter dhe anëtarët e Këshillit Federal. Ajo mbajti një fjalim në Parlamentin e Zvicrës dhe bashkë me homologen zvicerane mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Në delegacionin kosovar që shoqëroi Osmanin ishin edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, dhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve: “Faleminderit për mikpritjen, miqësinë dhe nderimin, Presidente Keller-Sutter! Kjo vizitë e parë shtetërore në Zvicër që po fillon në rezidencën zyrtare të Këshillit Federal të Zvicrës është dëshmi se bashkë po shkruajmë kapitullin e ri të historisë së partneritetit midis shteteve dhe popujve tanë!”, ka shkruar ajo.

Në fjalën e saj në Pallatin Federal, Osmani falënderoi Zvicrën për mbështetjen në kohët më të vështira për Kosovën dhe nënvizoi frymën e solidaritetit:

“Është kjo frymë që populli i Zvicrës dhe ky vend i mrekullueshëm qëndron me Kosovën në kohët më të vështira, si dhe në kohët më me shpresë. Njëjtë si kur ky vend ofroi strehë mendjeve si Albert Ajnshtajnit, dhe Thomas Mann-it, si dhe një vajze të re të quajtur Madeline Albright, e cila më vonë u bë Sekretarja e Shtetit në SHBA, edhe qindra mijëra kosovarë gjetën strehë këtu gjatë kohës më të errët në historinë tonë. Sot qindra mijëra qytetarë me origjinë kosovare jetojnë në këtë vend.”

Ajo vlerësoi kontributin e shqiptarëve në Zvicër, duke thënë: “Nga ndryshimet ne kemi ndërtuar një pikë të përbashkët dhe ëndrra të përbashkëta. Së bashku kemi formuar një partneritet të veçantë, të pasur në miqësi dhe të pasur në lidhjet njeri-njeri. Fëmijët e atyre që dikur erdhën si refugjatë, tani janë doktorë, inxhinierë, artistë dhe ndërmarrje-marrës. Ata çdo ditë ndihmojnë prosperitetin e shtëpisë së tyre të re.”

Osmani përmendi edhe futbollistin Xherdan Shaqiri si shembull të suksesit dhe dha një mesazh për bashkatdhetarët: “Pa marrë parasysh profesionin tënd, origjinën tënde, apo madhësisë tënde të platformës, bëhu një forcë për të mirën, bëhu një shembull i mishëruar se si duket një integrimi pozitiv. Të jetosh në këtë vend nuk është vetëm privilegj, është përgjegjësi.”

Gjatë konferencës së përbashkët për media, Presidentja Osmani shprehu shqetësimin për bllokadën politike në Kosovë dhe vonesat në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit:

“Si presidente jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.”

Ajo shtoi se është besimplotë se partitë politike do të arrijnë marrëveshje: “Megjithatë unë jam besimplotë që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për ta kaluar këtë situatë të tanishme, sepse sa herë e vendosin vendin si parësor, interesat e shtetit para gjithçka tjetër, gjithmonë zgjidhja politike është afër.”

Ndërsa, Presidentja e Konfederatës të Zvicrës, Karin Keller-Sutter, ka thënë se Zvicra është e vetëdijshme që Kosova luan rol të rëndësishëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është parakusht për sigurinë në përgjithësi në Evropë, teksa shtoi se duhet kujdesur që të mos ndizen vatra të reja të krizave.

“Siç e dini, Zvicra është prezente në kuadër të KFOR-it dhe do të mbetet kështu derisa të jetë e nevojshme”, tha Keller-Sutter.

Tutje, ajo tha se Zvicra e ka mbështetur gjithmonë Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në organizata multilaterale.

Ndërsa, në mbrëmjen e 22 majit, Osmani mori pjesë në darkën shtetërore të organizuar nga Presidentja zvicerane dhe Këshilli Federal, në prani të shumë përfaqësuesve të mërgatës shqiptare, ku u ngrit dolli për miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Mbrëmë, në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, ngremë dolli për miqësinë mes popujve tanë dhe për të ardhmen e partneritetit në mes shteteve tona,” ka shkruar Osmani në Facebook.

Në përfundim të vizitës, Presidentja Osmani falënderoi ngrohtësisht diasporën shqiptare në Zvicër për mikpritjen:

“Sot qindra mijëra njerëz me prejardhje nga Kosova jetojnë në këtë vend të mrekullueshëm. Përgjatë viteve kemi ndërtuar një bazë të përbashkët mirëkuptimi. Kemi thyer barriera dhe kemi ndërtuar ëndrra të përbashkëta. Së bashku kemi krijuar një partneritet unik, të pasur me miqësi dhe me lidhje mes njerëzve. Bijtë dhe bijat e atyre që dikur erdhën si punëtorë dhe refugjatë, sot janë mjekë dhe inxhinierë, artistë dhe ndërmarrës. Ata po ndërtojnë qëllimin e jetës, po forcojnë komunitetet e tyre këtu në Zvicër. Dhe çdo ditë ata ndihmojnë në shtyrjen përpara të mirëqenies së shtëpisë së tyre të re – Zvicrës,” është shprehur ajo.

Kurse, mbrëmë në një postim me video përmbledhëse, Osmani tha se vizita në Zvicër ishte historike për Kosovën, dhe së një kapitull i ri ndërmjet dy vendeve po nis.

Exit mobile version