Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, priti sot në takim ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Angelika Viets.
Ministri dhe ambasadorja diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.
Ministri Demolli nënvizoi kontributin e vazhdueshëm të Qeverisë së Gjermanisë për FSK-në, dhe ndër të tjera e njoftoi diplomaten gjermane edhe me zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, sukseset e veçanta në ushtrimet ndërkombëtare të FSK-së dhe me zhvillimet rreth procesit të transformimit FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Nga ana e saj, ambasadorja Viets shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në interes të të dyja vendeve dhe dy ministrive si dhe në veçanti mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.