7.7 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Buy now

spot_img

Veseli nga Roma fton investitorët italianë në Kosovë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka ftuar investitorët italianë në Kosovë që të eksplorojnë mundësitë e saj të shumta ekonomike, i bindur se do të gjejnë argumente të bollshme për ta sjellë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Ai ka thënë se, me këtë rast, përfitimi do të ishte i trefishtë: do të përfitonin investuesit, qytetarët kosovarë dhe perspektiva evropiane në rajon.

Veseli këtë thirrje e ka bërë në “Forumin Ekonomik për Kosovën”, i cili po zhvillon punimet në Romë të Italisë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Isa Mustafa dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Duke e vlerësuar organizimin e këtij Forumi si një lajm të mirë për ekonominë e Kosovës, Veseli ka thënë se Italia është një nga shembujt më të mirë që tregon se zhvillimi vjen vetëm përmes ekonomisë së tregut të lirë, në bashkëveprim me një shtet të fuqishëm që mbështetet mbi parimet e sundimit të ligjit.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kryeparlamentari Veseli ka pohuar se Kosova qëndron fuqishëm mbi vizionin se zhvillimi ekonomik dhe forcimi i vazhdueshëm i demokracisë nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim përgjithmonë një vend evropian, shtet demokratik, shoqëri sekulare dhe ekonomi e tregut të lirë. Mbi bazën e këtij vizioni, ne jemi thellësisht të përkushtuar që ekonomia jonë të zhvillohet në marrëdhënie të ngushtë me ekonomitë e vendeve demokratike perëndimore”, është shprehur ai.

Por, që gjërat të ecin mbarë, Veseli ka vlerësuar se duhet parë gjendjen ekzistuese të tyre. Ai ka theksuar se të dhënat e bashkëpunimit ekonomik, të investimeve italiane, ose edhe atyre me kapital të përbashkët, të regjistruara në Kosovë, janë pakrahasueshëm të vogla në raport me synimin e Kosovës.Displaying Veseli nga Roma fton investitorët italianë në Kosovë (2).jpeg

“Shenjat e kohëve të fundit janë inkurajuese, por jemi ende në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar tek investitorët për vendin tonë për vite të tëra. Mirëpo, reformat tona dhe evidentimi i tyre ne raportin e Bankës Botërore për Doing Business, arritjet e konsiderueshme në luftën kundër krimit e korrupsionit, reforma rrënjësore dhe e suksesshme në fushën fiskale, kanë pasur efekt pozitiv dhe do të kenë në të ardhmen”, ka thënë ai.

Veseli ka rikujtuar se në 7 vjetët e fundit Kosova ka pasur një rritje të GDP-së mesatarisht prej 5%, ndërsa ka konsideruar se trendët ekonomikë pozitivë në Kosovë janë indikatorë i reformave të ndërmarra nga institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka iniciuar një sërë reformash, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari kosovar, po ashtu, ka përmendur rritjen e vazhdueshme të investimeve kapitale që nga shpallja e pavarësisë dhe ka vlerësuar se rritja e investimeve publike është bërë e mundur nga një menaxhim më i mirë i buxhetit, performancë më e mirë e autoriteteve doganore dhe administratës tatimore, si dhe nga një plan ekonomik më i përshtatshëm për nevojat e sektorit privat.

 

Të gjitha këto përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, sipas Veselit, janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore e të Bërit Biznes. Por, ka tërhequr vërejtjen Veseli, nuk janë vetëm reformat në përmirësim të ambientit biznesor si arsye për të investuar në Kosovë.

 

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe CEFTA janë ndër arsyet kryesore që u mundësojnë investitorëve potencialë ta shohin Kosovën, jo vetëm si një treg prej 2 milionë konsumatorëve, por si një treg prej nga mund të eksportohet pa doganë në një treg prej 32 milionë konsumatorëve në vendet e CEFTA-s dhe afro 600 milionë konsumatorëve në Bashkimin Evropian, duke mos përfshirë masat preferenciale tregtare me SHBA, Japoni dhe Norvegji”.

 

“Gjithashtu, Kosova ofron një sistem më efikas të taksave, duke pasur parasysh vlerësimin e zyrtarëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si sistemin më të mirë në botë pas Zelandës së Re, pasi që është shumë i thjeshtë dhe i lehtë për bizneset”, ka thënë ai.

 

Kryeparlamentari Veseli, ka shtuar më tutje se, përveç sistemit efikas të taksave, Kosova ofron tatimet më të ulëta në Evropë, duke u ofruar investitorëve të huaj vetëm 10% në profit të korporatave, vetëm 5% kontribut të detyruar të pensioneve dhe 0% tatim në dividendë. Ai ka thënë se janë edhe me shumë përfitime të tjera që ofron Kosova, siç është mbrojtja e investitorëve të huaj, ku garantohet i gjithë investimi i tyre përmes ligjit për investimet e huaja.

 

Por, me gjithë përparimet, Veseli ka pohuar të jetë i vetëdijshëm që Kosova ende ka sfida ekonomike dhe, ndonëse në përmirësim e sipër për çdo vit, deficiti tregtar ende është i lartë për Kosovën.

 

Në vazhdim të fjalës së tij, para pjesëmarrësve të “Forumit Ekonomik për Kosovën”, në Romë, Veseli ka premtuar se do të vazhdohet thellimi i reformave ekonomike në Kosovë.

 

“Zonat e lira ekonomike, shpenzimet më të ulëta operative në Evropë, tatimet ndër më të ulëta në Evropë, qasje e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, Evropës Juglindore, Turqisë, Amerikës, Japonisë dhe Norvegjisë, sigurimi i investimeve të huaja, përmirësimi i infrastrukturës, si dhe reformat e vazhdueshme në përmirësim të klimës investive – janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimit tuaj”, ka deklaruar ai.

 

Kryeparlamentari Veseli, duke ftuar investitorët italianë në Kosovë, ka rikujtuar se Kosova është shumë afër Italisë dhe kjo është një përparësi që nuk e kanë shumë vende në zhvillim që synojnë të tërheqin kompanitë perëndimore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img