20.7 C
Pristina
spot_img

Vazhdon përplasja Trump-Musk: Presidenti do ta shesë Tesla-n

Presidenti Donald Trump nuk e ka në plan ta telefonojë Elon Muskun të premten, kanë bërë të ditur dy zyrtarë të administratës së tij, pasi përplasja e ashpër mes tyre po i rrezikon të dy.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, ka deklaruar se presidenti planifikon ta shesë veturën Tesla që kishte blerë në mars – një veprim simbolik që ishte interpretuar si mbështetje për Muskun, atëbotë një aleat politik. Megjithatë, sipas burimeve brenda administratës, Trump ka treguar pak interes për të zbutur tensionet, edhe pasi Musk kishte lënë të kuptohej se ishte i hapur për pajtim, raporton “The New York Times”, transmeton Klankosova.tv.

Të enjten mbrëma, Musk u tërhoq nga kërcënimi për të çaktivizuar menjëherë anijen hapësinore “Dragon” të kompanisë “SpaceX”, e cila transporton astronautë dhe pajisje për NASA-n në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Më vonë, pasi miliarderi i fondeve spekulative, Bill Ackman, bëri thirrje në rrjete sociale për pajtim mes tyre “për të mirën e vendit tonë”, Musk u përgjigj: “Nuk e ke keq”.

Për Musk, vazhdimi i konfliktit me Trumpin mund të ketë pasoja financiare të mëdha. Kompanitë e tij, përfshirë “SpaceX”, kanë përfituar miliarda dollarë nga kontratat qeveritare dhe ishin në pritje të tjerave në vlerë miliardash. Trumpi kërcënoi të enjten se do t’i anulojë këto kontrata.

Por rreziku është i madh edhe për Trumpin. Musk, njeriu më i pasur në botë, që shpenzoi rreth 275 milionë dollarë për ta ndihmuar Trumpin të rizgjidhej në vitin 2024, kishte premtuar se do të dhuronte edhe 100 milionë dollarë të tjerë për organizata të lidhura me presidentin para zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2026. Këto fonde tani janë vënë seriozisht në dyshim. Për më tepër, Trump tani përballet me zemërimin e një ish-aleati të fuqishëm, i cili duket i vendosur ta minojë ndikimin e tij në të djathtën amerikane.

Zyrtarët e administratës nuk e përjashtojnë mundësinë që presidenti të ndryshojë mendje dhe të flasë me Muskun, por disa këshilltarë politikë të Trumpit janë duke u përgatitur për një përballje afatgjatë, ku figura të fuqishme në teknologji dhe politikë mund të detyrohen të zgjedhin anë.

Si nisi gjithçka?

Përplasja nisi disa ditë më parë pas kritikave të Muskut ndaj një ligji të rëndësishëm të politikës së brendshme të presidentit, të cilin ai e quajti një “turp të neveritshëm”. Tensionet u përshkallëzuan të enjten në debate për meritat e fitores elektorale të Trumpit, përse Musk nuk kishte mbuluar një mavijosje në fytyrë gjatë një vizite në Zyrën Ovale dhe pse Trumpi papritur e kishte tërhequr mbështetjen për një të afërm të Muskut të propozuar për të udhëhequr NASA-n.

Stephen Bannon

Ish-këshilltari kryesor i Trumpit dhe kritik i rregullt i Muskut, Stephen Bannon, ka thënë se po këshillon presidentin që t’i anulojë të gjitha kontratat e Muskut dhe të nisë disa hetime ndaj tij.

Dosjet Epstein

Gjatë debatit online të enjten, Musk pretendoi se Trump është përmendur në dosjet e çështjes së Jeffrey Epstein – një deklaratë që ka shtuar presionin e ekstremit të djathtë për publikimin e plotë të dokumenteve nga hetimi për trafikimin seksual të Epstein, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019.

Memet në rrjete sociale

Ndërkohë që përplasja vijonte online, përdoruesit e rrjeteve sociale u përfshinë me meme dhe krahasime të Trumpit dhe Muskut me figura nga përplasjet më ikonike, përfshirë edhe vajzat rivale të filmit “Mean Girls”. /Klankosova.tv

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img