Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, ndërsa ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë të tjerë.
IPK përmes një komunikate për media ka bërë me dije se zyrtari policor është arrestuar pasi ishte përfshirën ën jë rast të gjuajtjes me armë zjarri në një lokal në Vushtrri.
“Arrestimi i zyrtarit policor ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit ku fillimisht Policia e Kosovës ishte njoftuar për një rast të gjuajtjes më armë zjarri pas orës 3 të mëngjesit në një lokal në fshatin Bukosh të Vushtrrisë.
Pasi në këtë rast ishte përfshirë si i dyshuar një zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, bazuar në autorizimet ligjore janë njoftuar hetuesit e IPK-së. Pas disa veprimeve hetimore, me dyshimin se ky zyrtar ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, i njëjti është arrestuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë” – thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në një rast tjeteër, është suspenduar zyrtari policor pasi dyshohet se ka kryer veprën “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Në një rast tjetër hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor i cili ishte me detyrë në stacionin policor të Ferizajt me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Pas pranimit të informatave dhe ndërmarrjes së veprimeve të para hetimore, si dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij për të mundësuar një hetim të paanshëm dhe të pavarur” – thuhet tutje.