Zyra për Informim e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka treguar për punën e kësaj gjykate gjatë kësaj jave.
Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle njoftoi se është caktuar që me 15 korrik të mbahet seanca ku do të merret vendimi mbi ankesën e Pjetër Shalës lidhur me vendimin e themelores e cila e dënoi për krime lufte me 18 vjet burgim.
“Paneli i Gjykatës së Apelit mund ta lerë në fuqi, prapësojë, ose ndryshojë aktgjykimin e Trupit Gjykues. Mbrojtja e Shalës ka dorëzuar po ashtu apel më vete kundër Urdhrit për Zhdëmtim”, tha Doyle.
Përveç kësaj, Doyle tregoi se janë marrë vendime për pranimin në prova të disa dokumenteve në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Në një prej vendimeve, Trupi Gjykues miratoi mocionin e Prokurorisë për të pranuar si prova një numër dokumentesh që kanë të bëjnë me viktimat e pretenduara të vrasjeve të paligjshme në këtë çështje gjyqësore, por rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për të shtuar një material tjetër në listën e provave materiale. Në vendimin tjetër, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën për të pranuar një numër raportesh ndërkombëtare si prova, ku pranoi disa prej tyre të kërkuar nga Prokuroria dhe nuk pranoi pjesën tjetër”, tha ai.
Ai foli edhe për hapat që pritet të merren në këtë çështje duke treguar se ekipet mbrojtëse kanë bërë me dije që do të bëjnë kërkesë për rrëzimin e disa ose të gjitha akuzave në aktakuzë.
Doyle tregoi se 30 ditë pas dorëzimit të kësaj kërkesë, ka afat Prokuroria që të dorëzoj përgjigjen e saj. Pas kësaj, gjatë kohës në pritje të vendimit, mbrojtja duhet të informojë në rast që planifikon që të paraqes prova, dhe në rast që po, duhet të tregojë se sa dëshmitarë planifikon t’i thërras.