Temë e diskutimit në emisionin “Review” në Euronews Albania ishte axhenda e spastrimit etnik në Luginën e Preshevës, ku 10 mijë shqiptarë janë hequr nga adresat e banesave të tyre.
I ftuar në studio, kreu i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për neglizhencë dhe mos-dhënien e mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginë.
Arifi e quajti Kurtin tradhëtar të kombit, pasi me marrëveshjen e Ohrit varrosi aspiratën e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën.
“Prishtina e ka obligim politiko-moral që brenda procesit të dialogut të kujdeset njësoj si Serbia kujdeset për serbët në Kosovë.
E kemi në një anë një Kosovë e cila minoritetin e saj në anën e Serbisë e neglizhon totalisht.
Tre viteve të fundit mundohet të përçajë në vazhdimësi me ato raporte në Luginën e Preshevës që pak më parë i patët në emision. Nga ana tjetër kemi një Serbi që për serbët në Kosovë investon rreth 800 milionë dollarë në 20 vitet e fundit. Investon t’i mbajë aty dhe të mbështesë tezën e saj që Kosova është Serbi.
Gjatë 20 viteve të fundit Kosova ka treguar jo vetëm neglizhencë por edhe një diletantizëm politik, duke patur obligimin moralo-politik për shqiptarët në anën tjetër të kufirit.
Unë nuk e njoh një politikan që ka bërë më shumë kompromise vitet e fundit, ka pranuar Asocacionin që e ka luftuar 10 vitet e fundit, ka pranuar që Lugina mos të përfshihet në marrëveshjen e Ohrit dhe ka hequr dorë nga reciprociteti.
Për ne në Luginën e Preshevës Albin Kurti është tradhtar kombëtar, pasi ka varrosur me marrrëveshjen e Ohrit që ne të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, tha Arifi.