Site icon PrishtinaPress

Sejdiu: Problemet me shëndetin mendor ndikojnë në vrasjet brenda familjes

Psikologia, Antigona Qenaj – Sejdiu në lidhje me vrasjen e rëndë në Pejë ku dyshohet se djali vrau nënën e tij, ka thënë se një person psiqikisht stabil nuk bën një vepër të tillë.

Sipas saj edhe studimet të cilat bëhet me persona të tillë që kryejnë vrasje të ngjashme thonë se kryesit e veprës kanë qenë në një moment të sëmundjes.

Në emisionin “FIVE”, Qenaj ka thënë se problemet me shëndetin mendor ndikojnë në vrasjet brenda familjes.

“Një person psiqikisht stabil nuk bën një vepër të tillë, studimet të cilat bëhet me persona të tillë thonë që personat që kryejnë vrasje të tillë kanë qenë në një moment të sëmundjes. Këta persona kanë tendencën të kryejnë krime brenda familjes”, ka thënë Qenaj.

Qenaj ka theksuar se vrasjet e tilla mund të ndodhin kur personi është nën afekt.

Sipas saj, kryesit e veprave në momentin e krimit nuk vrasin nënën, motrën ose vllaun por kryejnë një vepër nën ndikim të simptomave të problemeve me shëndetin mendor.

“Statistikisht janë 35% që kanë qenë me probleme të shëndetit mendor që kanë kryer vepra të tilla, ku në ndikim të halucinacioneve dhe deluzioneve kryejnë vepër të tilla”.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se nëse në fëmijëri dikush jeton në ambient abuziv, atëherë edhe këto elemente mund të ndikojnë në akumulimin e një doze të mllefit.

“Nëse si fëmijë ke jetuar në një ambient abuziv, janë faktorë që akumulojnë një doz të mllefit. Edhe pse personi nuk vuan prej skizofrenisë ka tendenca që trauma të jetë e akumuluar ndër vite, janë raste të rralla, por që niveli i madh i emocioneve bën që personi në atë moment të jetë në gjendje afekti dhe të mos përdorë trurin e tij. Ka edhe raste në botë kur dikush ka çrregullim të personalitetit dhe kur nuk ka empati”, ka vijuar ajo.

Për këtë vrasje, psikologia ka thënë se pasojat për shoqërinë mund të jenë të mëdha, pasi publiku bie në kontakt të drejtpërdrejt me ngjarjen duke bërë kështu që të ketë rritje të çrregullimeve të shëndetit mendor.

“Fakti që një person me probleme të shëndetit mendor ka kryer një vepër të tillë bën që edhe personat që vuajnë nga ankthi ose çrregullime të problemit mendor të bëjnë pyetjen, a mund ta bëj edhe unë këtë vepër. Por kjo nuk duhet të ndikojë te personat që vuajnë nga ankthi, pasi nuk është njëjtë si të kesh ankth dhe si të kesh skizofreni”, ka theksuar ndër të tjera Qenaj.

Exit mobile version