Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, nuk ka treguar shumë dëshirë për t’u tërhequr nga futbolli, por raportohet se i ka vënë syrin që të blejë aksionet e një klubi.
Ronaldo po luan tek Al Nassr në Superligën e Arabisë, një nga katër klubet të cilat janë në pronësinë e Fondit të Investimeve Publike në Arabinë Saudite (PIF).
Tani, pesë herë fituesi i Topit të Artë duket se dëshiron të marrë personalisht pronësinë e një klubi.
Mundo Deportivo kishte raportuar muajin e kaluar se ish-ylli i Real Madridit është i interesuar për të marrë pronësinë e Valencias.

Ronaldo thuhet se dëshiron të arrijë një marrëveshje me shumë të kritikuarin Peter Lim, i cili është pronar aktual i Valencias.
Kjo do të ndodhë në rast se klubi spanjoll eviton rënien nga La Liga dhe fitorja me rezultat 3-2 ndaj Las Palmas iu ka dhënë shpresë ‘Laraskave’ në këtë drejtim.
Çdo ofertë nga Ronaldo për Valencian do të kërkonte mbështetjen financiare nga PIF, për shkak se Lim momentalisht po ngurron ta shesë.
“Teksa përfaqësuesit e Ronaldos ende nuk kanë komentuar mbi këto thashetheme, miliarderi Lim nuk ka në plan që ta shes klubin”, ka raportuar The Mirror.
Ronaldo e njeh mjaft mirë kampionatin spanjoll, pasi atje ka luajtur për nëntë vite me fanellën e Real Madridit duke fituar dy herë titullin e La Ligas.
Pavarësisht mohimit të Lim se Valencia është në shitje, të gjitha shenjat tregojnë se klubi ka nevojë për një rinovim.
Ata nuk kanë përfunduar në top katërshe në gjashtë sezonet e fundit dhe sezoni 2024/2025 është sezoni i dytë në të cilin ata kanë qenë shumë afër rënies.