Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar sonte se Komuna do të nisë menjëherë largimin e mbeturinave nga rrugët e qytetit duke aktivizuar mekanizmat alternativë pas një ndërprerjeje të qëllimshme të shërbimeve nga ndërmarrja publike “Pastrimi”.
Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur dhe politik nga menaxhmenti aktual i ndërmarrjes, i cili ka ndërprerë vetëm në Prishtinë mbledhjen e mbeturinave, ndonëse kjo komunë është financuesi më i madh i saj.
Gjatë mandatit të tij, tha Rama, “Pastrimi” ka përfituar mbi 11.5 milionë euro nga buxheti i Komunës në bazë të kontratës, si dhe 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve, 3,800 kontejnerë të rinj dhe 400,000 euro subvencione shtesë. Megjithatë, sipas tij, këto mjete janë keqpërdorur nga menaxhmenti për rritje të pagave dhe punësime të motivuara politikisht.
Ai bëri të ditur se, pavarësisht përpjekjeve për të nënshkruar kontratë të re me ndërmarrjen “Pastrimi” në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025, kjo është refuzuar në mënyrë të qëllimshme. Për më tepër, ai sqaroi se pretendimi i ndërmarrjes për një borxh prej 2.7 milionë euro nga Komuna është i pavërtetë – Komuna nuk ka asnjë borxh ndaj “Pastrimit”.
Rama kujtoi se seanca e jashtëzakonshme për subvencionimin e pagave të punëtorëve me 300,000 euro dështoi për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend Komunal.
“Sabotazha nuk kalon! Sonte fillojmë largimin e mbeturinave. Po shqyrtojmë çdo mundësi ligjore për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla”, theksoi Rama duke i siguruar qytetarët se do të kenë shërbime të dinjitetshme, jo shantazh politik.