Site icon PrishtinaPress

Rama për asfaltimin e rrugës ‘Agim Ramadani’: Ishte planifikuar nënkalim, po Qeveria na bllokoi

Në orët e para të mëngjesit, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të vendoset shtresa përfundimtare e asfaltit në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, punimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e tërësishëm të asfaltimit. Në rast nevoje, mbyllja e rrugës do të zgjasë edhe të dielën, më 4 maj 2025.

Këtë të shtunë, rrugën “Agim Ramadani” e ka vizituar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, ndërsa përmes një videoje të publikuar ka dhënë edhe disa sqarime rreth projektit.

Ai ka theksuar se fillimisht ishte planifikuar ndërtimi i një nënkalimi në këtë pjesë, por se ky plan është penguar nga Qeveria e Kosovës për shkak të shqetësimeve për zbulime arkeologjike.

“Jemi këtu sot në rrugën Agim Ramadani, ku edhe po e bëjmë rivitalizimin e gjithë kësaj pjese të rrugës e cila faktikisht me projekt, i cili është i buxhetum, i cili është i dizajnum, i detalizum, ka pas me qenë nënkalimi, po ja që Qeveria na bllokon se thotë mos po gjejmë gjetje parahistorike. Ku është me gjet gjetje parahistorike? Mirëpo, derisa ne të ballafaqohemi me ta edhe e lëshojmë këtë pjesë për transformim të kryeqytetit, ne po e bëjmë rivitalizimin sot e nesër”, tha ai. VIDEO

Ndërkohë, në video u bë e ditur nga përfaqësuesit e punimeve se asfaltimi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme, vijëzimi të dielën, ndërsa nga dita e hënë rruga do të jetë e hapur për qarkullim.

Exit mobile version