Site icon PrishtinaPress

Qeveria thotë se ka pak shanse për një takim të shpejtë me Serbinë

Synimi i përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për të ulur në tavolinë liderët e Kosovës dhe të Serbisë nuk ka marrë aprovimin e përfaqësuesve të ekzekutivit kosovar. 

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë larg mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë. Gërvalla tha se asnjëherë nuk kanë refuzuar dialogun por që nuk i shkelin parimet e vëna.

“Rikthimi në dialog nuk është i nevojshëm sepse dialogun ne nuk e kemi ndërpre asnjëherë. Në vazhdimësi Sorenseni ka qenë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ka pasur takime të vazhdueshme me zv.kryeministrin Bislimin. Bisedat tona nuk janë ndalur asnjëherë prandaj nuk ka nevojë, nëse ajo thotë rikthimi në dialog ndoshta e ka fjalën për takime trelaterale, mirëpo jemi larg asaj. Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes së shkurtit 2023, por edhe përmes ekstradimit të Radoiçiqit. Në vazhdimësi Vuçiq iu jep premtime ndërkombëtare se do të arrestojë Radoiçiqi, mirëpo shkuan muaj e muaj madje edhe vite dhe s’ka lëvizje”, ka thënë Gërvalla, në një deklarim për media, pas dështimit të 20-të të konstituimit të Kuvendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë, Donika Gërvalla ka thënë se nuk ka “asnjë pikë mirëkuptimi” për ata që kërkojnë lëvizje të mëtejme nga Kosova e nuk e ndëshkojnë Serbinë për sulmin e Banjskës.

“Ne asnjëherë nuk e kemi refuzuar dialogun, gjithmonë jemi treguar konstruktiv, por jemi treguar parimor. Ne nuk i shkelim parimet tona në dialog, mirëpo kërkojmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për normalizim të marrëdhënieve tona. Njohja e ndërsjellë është zgjidhja dhe prandaj punojmë që të gjejmë ma shumë përkrahje”, ka thënë Gërvalla të premten.

Takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e ka paralajmëruar Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas, një ditë më parë.

Exit mobile version