Rreth 1300 biznese pritet të protestojnë nesër nga ora 10:00 deri në 12:00, për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që i obligon ato të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Protesta është thirrur nga Këshilli Organizativ në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, i cili në një konferencë për media shpalosi detajet e protestës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se protesta është hap i parë për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të ZRrE-së.
“Nuk jemi kundër daljes në tregun e lirë, por bizneset duhet të përgatiten për këtë tranzicion. Derimë sot jemi munduar t’i japim rrugë përmes dialogut, por nuk kemi pasur mirëkuptim”, tha Rafuna.
Ai sqaroi se protestuesit do të vendosen në disa pika kyçe hyrëse të kryeqytetit: Veternik, hyrjanga Gjilani, te Dukagjini Center, hyrja për Mitrovicë dhe hyrja nga Podujeva.
“Kërkojmë nga institucionet e vendit të mos i dëmtojnë bizneset. Periudha kohore që na duhet për tranzicion është një vit”, theksoi ai.Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se qëllimi i protestës nuk është ndalja e punës, por dërgimi i një mesazhi të qartë tek institucionet.
“Nuk është dëshirë e jona të ndalim nesër bizneset punën dhe të bllokojmë rrugën, por është mesazh që ZRrE duhet t’i dërgohet dhe institucioneve të tjera, në mënyrë që ky vendim të kthehet,së paku për një periudhë tranzicionale. Në të kundërtën, bizneset nuk do të mendojnë a do të punësojnë punëtorë të rinj, por do të ulin kriteret”, tha Shahini.
Edhe Ilir Ibrahimi, anëtar i Këshillit Organizativ, tha se protesta vjen pas shumë përpjekjesh për ndërtimin e një dialogu me institucionet.
“Protesta është vetëm hapi i fundit, pas shumë përpjekjeve që kemi pasur për të ndërtuar një dialog dhe për të gjetur zgjidhje.Nuk kemi gjetur gjuhë të dialogut nga institucionet dhe ZRrE. Duke marrë këtë vendim po shkojmë drejt mbylljes së ekonomisë. Mbyllja e ekonomisë do të thotë mbyllje e shtetit”, u shpreh ai.