Site icon PrishtinaPress

Procesi zgjedhor në Shqipëri drejt fundit, pjesëmarrja deri në orën 18:00 është 40.91%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhjet e sotme parlamentare në Shqipëri deri në orën tetëmbëdhjetë.

Pjesëmarrja ka qenë 40.91% nga 2423 qendra votimi që kanë çuar informacionin në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në vitin 2023, ka një rritje rreth 4.6%, ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme më 2021, pjesëmarrja deri në orën 18:00 ka qenë 45.48%.

Në këto zgjedhje – ku për herë të parë do të votojnë edhe shqiptarët në mërgim – përballen kryeministri Edi Rama, dhe kundërshtari i tij i përbetuar Sali Berisha, një politikan i djathtist që kryeson një aleancë të partive opozitare.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Qytetarët e Shqipërisë, vend me 2.8 milionë banorë, do t’i zgjedhin 140 deputetë për një mandat katërvjeçar, duke zgjedhur nga 2.046 kandidatët që përfaqësojnë 11 grupe politike, përfshirë tri koalicione.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë rreth 3.7 milionë votues të regjistruar, përfshirë ata nga diaspora.

Zgjedhjet e këtij viti shihen si vendimtare për të matur zhvillimin demokratik të vendit dhe për ta përcaktuar synimin e madh për një të ardhme evropiane.

Exit mobile version